Avdi dhe Besir Gashi janë dy të dyshuarit për sulm seksual ndaj një 21-vjeçareje.
Më 28 gusht të këtij viti në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë dy persona kishin marrë me forcë dhe e kishin futur në veturë një 21-vjeçare të cilët më pas edhe e kishin sulmuar seksualisht.
Burime të Demokracia.com kishin bërë të ditur se të dyshuarit ishin Avdi Gashi i lindur në janar të vitit 1989 dhe Besir Gashi, i lindur në qershor të vitit 1986.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit dy të pandehurve prej një muaji secilit veç e veç.
Njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore të Prishtinës, pa ndërhyrje:
Është caktuar masa e paraburgimit kundër të pandehurve A.G dhe B.G për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Sulm seksual
Prishtinë, 01 shtator 2022 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit A.G për shkak të veprës penale Sulmi seksual nga neni 229 paragrafi 1 lidhur me paragrafi 3.7 të KPRK-së dhe të pandehurit B.G për shkak të veprës penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale Sulmi seksual nga neni 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtarja e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.G dhe B.G e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtve ju ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, pë secilin veç e veç.
Gjyqtarja e procedurës paraprake vlerësoi se ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, ndikimi në të dëmtuarën dhe në dëshmitarët dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, në veçanti pesha e rëndë e veprave penale, e të gjitha së bashku kanë plotësuar bazën ligjore për caktimin e kësaj mase kundër të pandehurve.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.







