Nga Haga flasin për qëndrimin e Gucatit në Mitrovicë, thonë se do t’i takojë vetëm familjarët e ngushtë

Ish-kryetari I OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka arritur sot në Kosovë. Ai është lejuar për të qëndruar në Kosovë për të vizituar babanë e tij i cili po trajtohet në Spitalin e Mitrovicës.

I njëjti është shoqëruar nën masa të rrepta të sigurisë nga EULEX dhe Policia e Kosovës.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara për Kosovën në Hagë, Angela Griep, në një përgjigje për Reporteri.net, ka thënë se Gucati është lejuar për vizitë me rekomandim të Trupit Gjykues për ta takuar familjen e tij të ngushtë.

Ajo thekson se Gucati mbetet në paraburgim.

“Në baza plotësisht humane, Trupi Gjykues ka udhëzuar Sekretarin që t’ia aprovojë z. Gucatit një vizitë paraburgimi në Kosovë për ta takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara. EULEX-i dhe Policia e Kosovës na kanë dalë në ndihmë në mënyrë që kjo vizitë të kalojë pa asnjë problem”, ka thënë Griep.

Kujtojmë se Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara të Kosovës e ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00.