Fronti Evropian

Nga Fronti i Evropian i Ali Ahmetit i çojnë “selam” Taravarit e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, pas fitores së Frontit Evropian në Tetovë ka thënë se kandidatit të VLEN-it, Arben Taravarit me këto rezultate po i plotësohet dëshira e tij që t’i kthehet profesionit si mjek.

“Urime fitorja të gjithëve. Sa isha kryetar i ASH-së së bashkuar, Taravarin e bëmë ministër shëndetësie, e bëmë edhe kryetar komune, mirëpo ai thoshte që prapë kishte dëshirë t’i kthehet profesionit të mjekut. Me këto rezultate, Arben, po ta plotësojmë edhe këtë dëshirë. Kthehu tani në profesion”, ka deklaruar Sela.

Kurse, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti  ka thënë se më 8 maj thellohet fitorja.

“Më 8 maj e kam një porosi për të gjithë, si vëllau vëllaut, aty ku rrezikohet ndonjë mandat le të kenë kujdes. Ky kapitull u mbyll me suksesin më të madh, dallimi është mbi 40 mijë, në të gjith komunat fitojmë bindës, por më shumë më ka gëzuar fitorja në Tetovën time, sepse unë që 23 vite jetoj këtu”, ka thënë Ahmeti.

Gjithashtu, nga Fronti Evropian iu drejtuan edhe kryeministrit, Albin Kurti që mbështeti Taravarin, duke i thënë se “kryeministër, a po bindesh që s’ia vlenë, nuk ia vlenë të përkrahen njerëzit e opozita që e ka humbur rrugën në oborr”.

Rezultatet e para që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i publikon në ueb faqen e saj tregojnë se nga 80 për qind e votave të përpunuara, Bujar Osmani i Frontit Evropian ka marrë 104.143 vota 14.14%, derisa Arben Taravari i koalicionit VLEN ka marrë 73.486 ose 9.98% të votave.