çmimet

Nga buka deri te energjia elektrike, ja çfarë u shtrenjtua më së shumti në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin janar të këtij viti, për çka bëri të ditur se inflacioni mujor i matur nga ky indeks ishte 0,9 për qind gjatë këtij muaji.

Muajt e fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë për konsum në Kosovës.

Ngritjen e këtyre çmimeve e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave (ASK), duke shtuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e bukës, mishit, vajit ushqimor dhe energjisë elektrike brenda një viti.

Sipas të dhënave të ASK-së, shihet se gjatë muajit janar 2022 çmimi i bukës dhe i drithërave është rritur për 1.2 për qind, ndërsa çmimi i mishit është ngritur për 1.3 për qind.

Në anën tjetër, rritje në çmim shënuan edhe qumështi, djathi dhe vezët me 1.5 për qind, vajrat dhe yndyrat ushqimore me 1.7 për qind, perimet me 6.3 për qind, kurse uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet shënuan rritje prej 0.6 për qind.

Krahas rritjes së këtyre produkteve bazike, u rrit edhe çmimi i duhanit me 1.2 për qind, po ashtu edhe çmimi për furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin u rrit për 1.4 për qind.

Ndërkohë, çmimet e mallrave dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake u ngritën për 1.4 për qind, ndërkohë që çmimet e karburanteve dhe lubrifikantëve për pajisjet e transportit personal gjatë kësaj kohe u rritën për 2 për qind. Edhe çmimi i shërbimeve për transport shënoi një rritje prej 2.3 për qind, ai i shërbimeve hoteliere u ngrit për 1.4 për qind, si dhe ai për kujdes personal për 2.7 për qind.

E në bazë të gjithë kësaj, shihet se norma vjetore e inflacionit e matur në muajin janar 2022 në krahasim me muajin janar 2021 ishte 7.1 për qind, përcjell Buletini Ekonomik.

Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në janar 2022, siç është buka dhe drithërat të cilat shënuan një rritje prej 14.9 për qind krahasuar me janarin 2021, kurse çmimi i mishit u rrit për 7.6 për qind, ndërsa çmimet e qumështit, djathit dhe vezëve shënuan rritje prej 9 për qind.

Çmimi i vajrave dhe yndyrave ushqimore gjatë kësaj kohe (pra janar 2022-janar 2021), shënoi rritje rekorde prej 33.7 për qind, ndërkohë që ai i perimeve u rrit për 11.7 për qind.

Çmimi i sheqerit, reçelit, mjaltës, çokollatës dhe ëmbëlsirave gjatë kësaj kohe u rrit për 9.2 për qind, ndërkaq çmimi i prodhimeve të ndryshme ushqimore siç janë salcat, erëzat, kripa, ushqimi për fëmijë etj., u ngritën për 6.1 për qind.

Po ashtu edhe çmimi i kafes, çajit dhe kakaos u rrit për 10.8 për qind, ai i ujit, pijeve joalkoolike, lëngjeve nga pemët dhe perimet pati rritje prej 2.7 për qind, ai i duhanit u rrit për 6.2 për qind. Gjatë kësaj periudhe, çmimi i këpucëve u rrit për 2.9 për qind, ndërkohë që ai i mirëmbajtjes dhe rregullimit të vendbanimit u rrit për 3.7 për qind.

Tutje, edhe çmimet e furnizimit me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin u rritën për 1.4 për qind, ndërsa çmimi i energjisë elektrike në këtë kohë u rrit për 12.3 për qind (ngritja e çmimit të energjisë elektrike është për shkak se në periudhën janar – maj 2021 ishte për 0.0061 centë më e lirë sipas Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike Covid -19, Nr. 07/L-016 neni 15);

Edhe çmimi i gazit shënoi rritje prej 19.8 për qind, ai i lëndëve djegëse të ngurta si i drurit zjarrit, peletit u ngrit për 12.7 për qind, kurse çmimi i mobilieve dhe orendive, qilimave dhe mbulesave të tjera dyshemeje u ngrit për 2.8 për qind, ai i pajisjeve shtëpiake për 5.6 për qind, i qelqurinave, takëmeve dhe mjeteve të kuzhinës për 2.5 për qind, çmimi i veglave dhe pajisjeve për shtëpi dhe kopsht për 4.6 për qind, kurse ai i mallrave dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake për 2.7 për qind.

Gjithashtu, edhe çmimi i produkteve farmaceutike në janar u rrit për 4.4 për qind, ai i blerjeve të automjeteve për 5.9 për qind, i pjesëve të këmbimit dhe pajisjeve shtesë për pajisjet e transportit personal për 5 për qind.

Një rritje po ashtu mjaft të lartë patën edhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, në të cilat çmimi u ngrit për 24.5 për qind.

Çmimi për mirëmbajtje dhe riparim të pajisjeve personale të transportit gjatë kësaj kohe u rrit për 6.7 për qind, për shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit për 9.9 për qind, për shërbime për transport për 3 për qind, për pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informative për 2.2 për qind, për gazeta, libra dhe materiale për zyra për 1.7 qind. Po ashtu edhe për shërbimet hoteliere çmimi u rrit për 6.9 për qind, ndërkohë që për kujdes personal, rritja u bë për 4 për qind, për gjëra personale 2.3 për qind dhe për shërbime financiare për 3.4 për qind. Ndërsa, rënia e çmimeve është vërejtur tek pemët -5.8 për qind dhe veshje -1.8 për qind me një ndikim prej (-0.2 për qind) në IHÇK.