QKUK

Nga 61 të infektuar, 24 pacientë me COVID-19 janë në Klinikën Infektive në QKUK, kjo është gjendja e tyre

Ka më tepër se 10 ditë kur në Kosovë u konfirmua edhe rasti i parë i prekur me COVID-19, virus ky që ka shkaktuar vdekje, frikë, sfida dhe probleme të mëdha anembanë botës.

Që nga ajo ditë e deri më sot numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka shkuar në 61, ku 21 të fundit u konfirmuan në orët e mbrëmjes së kaluar.

Por në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë vetëm 24 pacientë të prekur nga COVID-19.

Kjo është konfirmuar Drejtoresha e kësaj klinike, Lindita Ajazaj Berisha.

Ajazaj-Berisha tha se prej të gjithë këtyre pacientëve gjashtë kanë nevojë për oksigjenoterapi.

“Për momentin në Klinikë janë 24 pacient me COVID-19. Prej tyre 18 pacientë janë në gjendje stabile, kurse gjashtë kanë nevojë për oksigjenoterapi”, tha shkurt Drejtoresha e kësaj klinike.

Kosova është sfiduar nga COVID-19, teksa edhe janë karantinuar shumë prej qytetarëve të cilët gjendeshin nëpër vendet e shumta të botës, por që u kthyen në Kosovë.

Shqetësuese është fakti se përhapja e këtij virusi është mjaftë e shpejtë dhe masat parandaluese janë vetëm qëndrimi në shtëpi dhe kontakti sa më i paktë me njerëzit e tjerë.

Përpos masave të ndërmarra më 13 mars, Qeveria e Kosovës mbrëmë mori vendim që të ndalojë qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10:00 deri në ora 16:00 si dhe nga ora 20:00 deri në ora 06:00.

Të gjitha këto masa sipas Qeverisë së Kosovës po ndërmerren në diskutim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me Institutin Shëndetësorë Publik të Kosovës.

Se deri kur do të zgjasë e gjithë kjo situatë pandemike dhe sa do të jenë të rrezikuar kosovarët mbetet të shihet në ditët në vazhdim.

Madje nga zyrtarë të ndryshëm është thënë qartë se dy javët e ardhshme janë edhe më të rrezikshme për të gjithë ne.