Nga 27 mijë sa ishin në fillim të shtatorit, numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë bie në 11 mijë

Numri i rasteve aktive me coronavirus në Kosovë, krahasuar me fillimin e muajit shtator, ka rënë dukshëm.

Sipas raportit të fundit të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë 11 mijë e 862 raste janë ende aktive më Kosovë, nga 27 mijë e 404 sa ishin me 1 shtator 2021.

Në këto dy javët e fundit, numri i personave të shëruar nga COVID-19 ka qenë më i madh se i atyre të infektuar.

Sipas statistikave që u publikuan, sot janë shëruar 850 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 144 mijë e 183 persona.

Ndërkaq, gjatë 18 ditëve të para të këtij muaji kanë humbur jetën 385 qytetarë të Kosovës të infektuar me COVID-19, ndërkaq deri më tani numri i personave të vdekur ka shkuar në 2 mijë e 889.

Ndërkaq edhe vaksinimi i qytetarëve është duke u bërë me shifra mjaft të larta në 24 orë.

Brenda ditës së djeshme janë dhënë 18 mijë e 555 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Deri më tani ekipet e vaksinimit kanë dhënë mbi 1 milionë doza të vaksinave kundër COVID-19.