Drejtori Kufitar

Nexhmi Krasniqi pritet të largohet nga pozita e drejtorit kufitar në Prizren

Reformat në Policinë e Kosovës pritet të vazhdojnë edhe ditët në vijim. Pas largimit të djeshëm nga pozita që mbante Kadri Arifi, në radhë për tu ndërruar është drejtori kufitar në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

Procedura e largimit të Nexhmi Krasniqit nga drejtori Kufitar në Prizren është në përfundim e sipër dhe largimi i tij pritet të bëhet brenda këtyre dy ditëve,

Reformat në Policinë e Kosovës kanë filluar me degradimet që ndodhën javën e kaluar të komandantit të Policisë në Rajonin e Ferizajt, Emin Beqiri dhe Drejtorit të departamentit të Policisë Kufitare Shaban Gruda.

Reformën brenda Policisë së Kosovës e ka paralajmëruar edhe vet kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Këtë çështje e ka bërë publike Ministria e Punëve të Brendshme, pas takimit që Sveçla e ka pasur me ambasadorin amerikan Philip Kosnett.

“Në këtë takim është biseduar edhe për situatën aktuale me pandeminë dhe rëndësinë e sundimit të ligjit, si dhe nevojën për reforma në Policinë e Kosovës dhe administratën publike, të cilat kanë impakt të drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e vendit”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e MPB-së, pas takimit me ambasadorin amerikan.

Përkundër që Policia e Kosovës është konsideruar në vijimësi si një ndër institucionet më të besuara në vend, në opinion është përfolur edhe për persona të paprekshëm brenda policisë, të cilët në disa raste kanë qenë të mbështetur nga politika dhe në disa raste tjera të dyshimta për përfshirje në vepra kriminale.