Nevojiten urgjentisht mjekë e infermierë në Zvicër, shkaku i valës së dytë të COVID-19

Spitali Universitar (HUG) i cili ndodhet në Kantonin e Gjenevës, ka nevojë për personel shtesë, për shkak të rritjes së shpejtë të pranimeve në spital, shkaku i valës së dytë të COVID-19.

Përmes një njoftimi të dielën, spitali ka bërë një thirrje për ish-punonjësit në pension dhe ata me pushime të papaguara, që t’i kthehen punës, transmeton Agjencia e lajmeve SDA.

Poashtu sipas këtij njoftimi, menaxhmenti i klinikës po kërkon menjëherë vullnetarë për të marrë përsipër detyra mjekësore, infermierore ose administrative.

Mjekët dhe infermierët shtesë për njësitë e kujdesit intensiv, janë të nevojshmëm që të përforcojnë dhe lehtësojnë ekipet ekzistuese në spital.

Drejtori i Përgjithshëm i HUG, Bertrand Levrat përmes një apeli ka thënë se është e mundshme që numri kulmor, prej 550 pacientëve të shtruar për COVID-19, i cili qe regjistruar gjatë valës së parë të sëmundjes në pranverë, do të tejkalohet në ditët në vijim.

Spitali Universitar i Gjenevës ka njoftuar javën e kaluar për masat që paraqiten të nevojshme.

Autoritetet shëndetësore të Gjenevës të mërkurën kanë shprehur frikën se do të mbingarkohen nga fluksi i pacientëve. Ata druajnë se do t’u duhet të vendosin se cilin person të trajtojnë dhe cilin ta lënë në fatin e tyre.