Neuer kritikon paraqitjen e Bayernit nën drejtimin e Kovacit

Lëkunden pozitat e trajnerit të Bayernit, Niko Kovac. Kroati, i cili i shpëtoi shkarkimit vitin e kaluar pasi arriti të fitonte në fund Bundesligën, është vënë sërish në pikëpyetje pas luhatjeve të vazhdueshme të bavarezëve në këtë fillim sezoni, ku kanë arritur të marrin vetëm 4 fitore në 8 javë.

Bavarezët, në fakt, kaluan nga fitorja e bujshme në shtëpinë e Tottenhamit në Champions League te disa rezultate të papritura në Bundesligë, siç ishte edhe barazimi i fundit në shtëpinë e Augsburgut.

Luhatjet e pakuptimta në rezultate kanë sjellë edhe reagimin e kapitenit Manuel Neuer, i cili është i drejtpërdrejtë në fjalët e tij.

“Nuk është një gjë e mirë të fitosh vetëm 4 ndeshje nga 8, nuk është ky niveli ynë. Nëse pëson gol në fillim dhe në fund të ndeshjes do të thotë se problemi qëndron te mentaliteti. Nuk është ky Bayerni”.

Deklaratë që mund të merret si “shigjetë” ndaj trajnerit Kovac, i cili do të duhet të përballet edhe me dëmtimin e Sule, i cili këputi ligamentet e gjurit pikërisht në ndeshjen e fundit ndaj Augsburgut.

loading…