Manuel Neuer dhe Thomas Muller besojnë se Bayern Munich do të arrijë ta mposhtë dhe t’i hakmerret Chelseat, kur dy skuadrat të takohen në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Kampioni në fuqi i Bundesligës do të takohet me skuadrën e Frank Lampardit në një përsëritje të finales së sezonit 2011/12, kur Chelsea kishte triumfuar në penallti pas barazimit 1-1 në Munih.

Neuer dhe Muller luajtën në atë disfatë zhgënjyese në shtëpi për Bayernin, që u përgjigj në sezonin 2012/13 duke e fituar tripletën, ku përfshihej triumfi në finalen e Ligës së Kampionëve kundër Dortmundit në Londër.

Pasi që Bayerni po kalon në formë paksa më të mirë me trajnerin e përkohshëm Hansi Flick, pas shkarkimit të Niko Kovacit, veçanërisht në Evropë, Neuer beson se skuadra e tij mund të niset për në këtë përballje me vetëbesim.

“Ne mezi po e presim ndeshjen në Londër, pasi që aty kemi pasur përvoja të mira. Chelsea është i rrezikshëm dhe ne duhet ta marrin shumë seriozisht dhe të nisemi në ndeshje plotësisht të përqendruar”, ka thënë Nueuer.

“Natyrisht ne duam të kalojmë te rundi e radhës. Mendoj se mund të shkojmë në këto ndeshje me shumë vetëbesim. Jemi të lumtur  me shortin, do të luajmë kundër një skuadre të mirë dhe tërheqëse”.

Muller tha se finalja e vitit 2012 nuk kishte rol në këtë përballje të 1/8 të finales, duke shtuar: “Është e qartë se nuk do të përballesh me skuadra të vogla në këtë fazë. Ne kemi mjaft vetëbesim. Po ndihem mirë për shortin”.