Ofensiva tokësore në Gaza

Netanyahu në konferencë: Do të luftojmë dhe nuk do të dorëzohemi, nuk do të tërhiqemi as mbi dhe as nëntokë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se operacioni tokësor që filloi në Gaza këtë mëngjes është faza e dytë e luftës me Hamasin, me “objektiva shumë të qarta”.

Ai vuri në dukje se forca shtesë tokësore izraelite kishin shkuar në atë që ai e quajti “kalaja e së keqes”, duke iu referuar Gazës, për të “shpërbërë” Hamasin dhe për t’i kthyer pengjet në shtëpitë e tyre, raporton BBC, transmeton Ballkani.info.

Netanyahu tha gjithashtu se ushtarët dhe komandantët izraelitë “janë tani në Rripin e Gazës dhe janë të vendosur kudo”.

Më herët gjatë ditës së sotme, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi Izraelin për krime lufte.

Kryeministri izraelit tha si më poshtë, pa përmendur emrin e Erdoganit:

“Mos na akuzoni për krime lufte. Nëse mendoni se mund t’i akuzoni ushtarët tanë për krime lufte, kjo është hipokrizi. Ne jemi ushtria më morale në botë”.

Netanyahu tha gjithashtu se IDF po merr masa paraprake për të mbrojtur civilët dhe akuzoi Hamasin për kryerjen e krimeve kundër njerëzimit “duke përdorur popullin e vet si mburoja njerëzore”.

Netanyahu e mbylli fjalimin e tij duke folur për mbështetjen që i kanë dhënë aleatët e tij nga perëndimi dhe bota arabe.

“Kjo do të jetë një luftë e gjatë dhe e vështirë. Ne do të fitojmë, do të ketë një luftë tjetër për pavarësinë e Izraelit. Ne do të luftojmë dhe nuk do të dorëzohemi. Ne nuk do të tërhiqemi. As mbi dhe as nëntokë”. /Ballkani.info/