Nesër mbahet provimi shtetëror i maturës, MAShT nuk i ka siguruar zhurmuesit e valëve

Mbi 10 mijë maturantë nesër do t’i nënshtrohen afatit të dytë të provimit shtetëror të maturës, të cilët do të kenë pjesën e parë të testimit, ndërsa pjesën e dytë do ta kenë me 7 shtator.

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë qysh në afatin e parë kishte paralajmëruar se në të gjitha qendrat e testimit do të vendoseshin zhurmues të valëve, si mënyrë për të parandaluar kopjimin.

Mirëpo, një gjë e tillë nuk ishte realizuar, e zhurmuesit nuk janë siguruar as për afatin e dytë të provimit shtetëror të maturës.Kryetari i komisionit shtetëror të maturës, Fehmi Hysenaj, për KosovaPress, thotë se nuk kanë arritur të sigurojnë zhurmuesit, por që sipas tij, kanë ndërmarrë veprime të tjera për të parandaluar kopjimin.

“Jo ne nuk kemi arritur që t’i kemi në këtë afat zhurmuesit, por kemi marrë të gjitha masat e mundshme dhe kemi bërë thirrje drejtorive komunale që të jenë të përgjegjshëm në mënyrë që të sigurojnë që të zbatohen vendimet e ministrit të Arsimit”, thotë ai.

Përkundër kësaj, Hysenaj thotë se si ministri i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura që të ketë një mbarëvajtje sa më të mirë të testimit.“Komisioni shtetëror i maturës dhe divizioni përkatës i MAShT-it i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, normalisht në bashkëpunim të ngushtë me drejtoritë komunale të arsimit dhe gjithçka është duke shkuar sipas planit.

Ne këto ditë dje dhe sot kemi pasur sesione informuese për monitoruesit dhe komisionarët e testit të maturës dhe gjithçka është në rregull…Testi mbahet dita e parë të premten, do të thotë me 30 gusht në lëndët gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze pjesa e parë, ndërsa me 7 shtator pjesa e dytë në lëndët matematikë dhe lëndën zgjedhore”, thotë ai.

Për dallim nga afati i parë ku testimi është mbajtur në katër regjione dhe në ditë të ndryshme, këtë herë Hysenaj thotë se për shkak të numrit më të vogël të nxënësve, testimi do të organizohet në të njëjtën ditë në të gjithë vendit.

Maturantët në ditën e parë të testimit do të kenë pyetje nga lëndët gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze, ndërsa në pjesën e dytë të provimit do të kenë pyetje nga lëndët matematikë dhe lëndën zgjedhore.

“Kalueshmëria varet prej nxënësve, ne jemi të interesuar që testi të ketë rezultate reale. Edhe arritshmëria dhe kalueshmëria t’i ofrohet realitetit dhe të kemi një administrim sa më të mirë. Në kuadër të kësaj ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet. Kërkojmë që prindërit të jenë të ndërgjegjshëm dhe të mos i lejojnë fëmijët që ditën e testimit të shkojnë me telefon, sepse komisionerët kanë marrë instruksione të qarta se nuk do të fillojë në asnjë qendër testimi testi nëse nuk sigurohet që nxënësit janë pa telefona”, thotë ai.

Për mbarëvajtje sa më të mirë të testimit, Hysenaj thotë se kanë angazhuar më shumë se 100 mbikëqyrës në 101 qendra të testimit.Ai thotë se nuk do të tolerohet asnjë nxënës që ditën e testimit tenton të kopjojë.

“Asnjë njëri nuk do të falet, si ndaj nxënësve do të ketë ndëshkime, si ndaj administruesve, komisionerëve, monitoruesve, të gjithë personave që i shkelin rregullat ne nuk do t’i falim”, thotë ai.Provimit Shtetëror të Maturës do t’i nënshtrohen 10 mijë e 15 nxënës.

loading…