Nëse do të kishte vrojtues, 18-vjeçari që u mbyt në Durrës do ishte gjallë, thotë instruktori

Një profesion i ri, por jashtëzakonisht i nevojshëm në mënyrë që e gjithë vija bregdetare të jetë e mbuluar nga vrojtuesit. Ishte kjo deklarata e Robert Neçajt, zëvendës president i Federatës Shqiptare ‘Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë’.

Ai komentoi ngjarjen ku një 18-vjeçar humbi jetën në Durrës teksa shpëtoi vëllain dhe shokun e tij nga mbytja dhe siguroi se nëse ai apo një nga kolegët e tij vrojtues do të ishte në vendngjarje, Anri Kashiku do të ishte gjallë.

Sipas tij kulla vrojtimi ka në çdo plazh, por ato janë të panevojshme nëse nuk kanë vrojtues. Neçaj u shpreh se ky është rezultat i moszbatimit të ligjeve.

“Në rastet kur plazhet hapen pa vrojtues është përgjegjsi e drejtpërdrejtë e instancave përkatëse të shtetit”, u shpreh ai, duke cilësuar ministrinë e Turizmit dhe bashkitë përkatëse.

Edhe kontrollet instruktori i cilësoi si të padobishme për aq kohë sa ministria e di sa plazhe ka hapur pa vrojtues.

Neçaj u shpreh se rreziku nga deti është i përditshëm dhe njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për këto rreziqe, ndaj janë edhe më të ekspozuar.

“Theksoj, vrojtuesi është personi kompetent që të thotë ‘futu ose mos u fut në det’, edhe në rastet kur futesh të shpjegon si të futesh, pra mund të futesh me prindin, me pajisje mbrojtëse”, nënvizoi instruktori. /Euronews Albania/