“Nëse çmimi për anëtarësimin në OKB është korrigjimi i kufijve atëherë ndoshta duhet të paguajë Kosova”

Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka folur për letrën e presidentit amerikan, Donald Trump, drejtuar presidentit të Kosovës [Hashim Thaçi] dhe atij të Serbisë [Aleksandar Vuçiq] ku, mes dallimeve, theksohet nevoja për arritjen e një marrëveshje finale mes të dyja vendeve.

“Nuk e kemi kontroll në veriun e vendit. Cilado Qeveri që ka qeverisur deri më tani me Kosovën, që nga shpallja e Pavarësisë, nuk ka pasë kontrollë në veri të vendit. Ne e kemi të pamundur që të integrohemi në shumicën e organizatave ndërkombëtare sepse gjithmonë e ke një pengesë, nga Serbia dhe Rusia”,

“Kemi dy kundërshtarë që po punojnë që ne të mos bëhemi shtet funksional. Cila do të ishte alternativa, të vazhdojmë kështu, duke pasë parasysh edhe që Serbia po forcohet në arenën ndërkombëtare – nuk është më Serbia që ka qenë para 20 vjetësh, që ka arritur të bombardohet dhe të mos ketë kundërshtim të fuqishëm nga Serbia”.

“Jemi këtu ku jemi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Miqtë tanë po na thonë se ne nuk mund t’iu ndihmojmë më tej, duhet të ulemi dhe këtu janë ndoshta konditat që duhet të arrini, të bëni kompromise që nuk i dimë se cilat janë – ka mundësi që do të jetë edhe ndryshimi i kufijve”.

“Nëse vazhdojmë kështu, Kosova do të bëhet edhe më jonfuksionale – japin dorëheqje katër kryetarë të veriut dhe ti nuk ke qasje”.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Kosova nuk duhet ta humbasë një moment të tillë, sipas tij, historik.

“Kosova duhet t’i japë fund status-quos. Nëse çmimi për anëtarësimin në OKB, njohjen nga Serbia dhe heqjen e pengesave nga Serbia është korrigjimi i kufijve atëherë ndoshta ky është çmim që duhet të paguajë Kosova”.

“Unë po dua të shikojmë nga e ardhmja. Në këtë moment historik që nuk mund ta humbësh sepse po e humbëm është rrezik shumë i madh për Kosovën – status qou nuk pranohet as nga Washingtoni, as nga Brukseli, nuk duhet të pranohet as nga ne”.

“Nëse neve na është dhënë mundësi që garancë e një marrëveshje të ardhshme Kosovë- Serbi të jetë Shtëpia e Bardhë, nëse ne e humbasim, duhet të dalim dhe t’i themi popullit që ne jemi liderët që po humbasim partneritetin me SHBA-të”.

Duke komentuar për ato që u panë si konflikte mes presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj dhe pozitës e opozitës, ai tha se nuk ishte diçka e vërtetë.

“E gjitha ka qenë lojë politike në mes subjekteve politike në 4-5 muajt e fundit, dua ta ritheksoj që gjithçka ka ndryshuar kur ka ardhur letra e Donald Trump”.

“Nuk ka më lojë partiake, e gjithë klasa politike e ka fajin, edhe opozita në një mënyrë ose tjetër e ka fajin e vet nëse Qeveria nuk punon mirë”.

Ibrahimi ka folur edhe për presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova duke qenë i bindur se ai në asnjë moment nuk do ta vinte në rrezik marrëdhënien me SHBA-të.

“Presidenti Ibrahim Rugova ka ditur të bëjë kompromisin e madh në Rambuje, që të tërhiqet dhe t’i lëjë mundësinë në atë kohë UÇK-së të udhëheqë me dialogun – nuk po e shoh se pse nuk duhet ta bëjnë një gjë të tillë pasardhësit e UÇK-së”.

“Ibrahim Rugova nuk do ta vinte në pikëpyetje miqësinë me SHBA-të nën asnjë çmim”.

“Ajo çfarë është kërkuar nga presidenti amerikan që e ka bërë këtë vend, të mos merret si hajgare sepse po u humb kjo përkrahje rrezikojmë që ta rrezikojmë vendin tonë – edhe këtë që e kemi të cunguar në veri”.