Nënshkruhet kontrata në mes komunës së Mitrovicës dhe FSK-së për shfrytëzimin e pronës së Cërnushës

Pas miratimit të propozim-vendimit nga Kuvendi i Komunës së Mitrovicës, kryetari i komunës, Agim Bahtiri, i shoqëruar nga nënkryetari Faruk Mujka, sot ka pritur në takim ministrin e Ministrisë së Mbrojtjes, z. Armend Mehaj, me të cilin ka nënshkruar kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme komunale në shfrytëzim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kjo pronë përfshinë gjithsej 191 hektarë, dhe do të shërbej për stërvitje dhe nevojat tjera të FSK-së për të zhvilluar aftësitë, kapacitetet dhe gatishmërinë operacionale, për realizimin e misionit kushtetues dhe detyrave ligjore në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike, fetare e racore.

Hapësira në fjalë, për shumë vite me radhë ka shërbyer si vend stërvitje për Policinë, KFOR-in dhe FSK-në.