Raportuesja e KE-së

Nënshkrimi i kontratës për energjinë, Von Cramon: Hap drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka përshëndetur marrëveshjen mes KEDS-it dhe Elektroseverit, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat në veri të Kosovës.

Përmes një reagimi në rrjetin social “X”, ajo ka thënë se ky hap është në drejtimin e duhur drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të mbetura pezull mes Kosovës dhe Serbisë.

“Lajm i mirë për të parë nënshkrimin e kontratës për energjinë ndërmjet KEDS dhe Elektrosever. Ky është një hap në drejtimin e duhur drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të mbetura pezull, në mënyrë që më në fund të kemi normalizim të plotë mes Kosovës dhe Serbisë! Integrimi në BE është qëllimi ynë i përbashkët”, ka shkruar Von Cramon.

Edhe Bashkimi Evropian ka mirëpritur nënshkrimin e sotëm të kontratës komerciale ndërmjet kompanisë energjetike të Kosovës KEDS dhe kompanisë Elektrosever.

BE me anë të një komunikate e ka quajtur këtë si një hap të rëndësishëm për zbatimin e plotë të udhërrëfyesit për energjinë.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të plotë të udhërrëfyesit për energjinë, për të cilën u ra dakord në qershor 2022 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, duke mundësuar zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë të 2013 dhe 2015”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Lidhja e kësaj kontrate nënkupton që Elektrosever do të fillojë furnizimin me energji elektrike për katër komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe. Kjo do t’i jep fund praktikës aktuale të parregulluar”, ka shtuar ai.

BE-ja ka lavdëruar të gjithë të përfshirët që e bënë të mundur dhe “pret që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me shpejtësi zbatimin e Udhërrëfyesit për Energjinë, si dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të dialogut në interes të normalizimit të marrëdhënieve”.