Nënkryetarja e LDK-së thotë se është koha që figurat e vjetra të kësaj partie t’u hapin rrugë gjeneratave të reja

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi tha se është e natyrshme që strukturat e vjetra të zëvendësohen me struktura të ndryshme.

Mjekiqi në Tëvë1 tha se nuk është me rëndësi faktori moshë për ata të cilët kanë qenë pjesë e LDK-së, teksa theksoi se ka ardhur momenti që ata nuk kanë më çfarë të japin për Lidhjen Demokratike të Kosovës t’u hapin rrugë gjeneratave të reja.

“Është e natyrshme që strukturat të zëvendësohen me struktura të ndryshme, nuk është me interes faktori moshë, por ata të cilët kanë qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të cilën normalisht që duhet me njoh kontributin e tyre. Kanë dhanë maksimumin e tyre, ka ardhë një moment ku ata nuk kanë çfarë tjetër të japin për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe është e natyrshme që të vijnë gjenerata të reja siç do të jetë e natyrshme në momentin kur Shqipja nuk do të ketë më çfarë të jep për LDK-në të mos jetë më në LDK dhe t’i hapet rruga gjeneratave të reja të cilat do të vijnë me përgatitje më të mëdha, do të vijnë më inovativ, kështu që është krejt një proces i natyrshëm”, tha ajo.

Tutje Mjekiqi tha se nuk e paramendon skenën politike në Kosovë pa LDK-në të fortë.

“Skena politike në Kosovë ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës sepse me të vërtetë nuk mund ta paramendoj skene politike të Kosovës pa një Lidhje Demokratike që është e fortë”, shtoi në fund Mjekiqi.