Diktatori i Rusisë, Vladimir Putin, që ka nisur një agresion ndaj Ukrainës, i ka dërguar ushtarët në frontin e luftës pa e ditur se ku janë duke shkuar. Kjo dëshmohet nga shumë nëna ruse që janë duke kërkuar që fëmijët e tyre të kthehen në Rusi dhe të mos iu vijnë në arkivole. Sipas mediave të pavarura ruse, që janë pak, raportojnë se rekrutëve të rinj iu është thënë se po shkojnë në ushtrime ushtarake afër kufirit të Ukrainës, por pa iu treguar se do të detyrohen të shkojnë në luftë.

Një nënë e një ushtari rus, ka deklaruar për media se është afër të çmendet dhe se po pret djalin e saj në arkivol, nga ajo që po kupton se çka po ndodhë në Ukrainë.

Ajo tregon se pjesa më e madhe e mediave ruse nuk janë duke e pasqyruar të vërtetën e luftën në Ukrainë dhe janë në terr informativ. “Unë jam një person larg politikës, jam thjesht një nënë. Djali im, Rafik Rakhmankulov, u kap nga ushtria ukrainase. Po përpiqem të mos çmendem deri më tani. Po pres tim bir të më kthehet në arkivol, thotë Natalya Ruzanova, një banore e Petrovsk.

“Tim bir i thanë se do të shkonin në kufi me Ukrainën për ushtrime ushtarake, pa i treguar se do të dërgoheshin në luftë”, tregon kjo nënë. Por, kjo nuk është e vetmja që djali i saj i ka shkruar në luftë pa e pasur idenë se ku është duke shkruar.

“Mallkuar qoftë ai (Putini) njeri që na i dërgoi djemtë në luftë për të vdekur. Nuk kemi asnjë informacion për fëmijët tanë. Kemi kontaktuar autoritetet ruse, nuk më kanë dhënë asnjë informacion për djalin tim, Igorin. Djali im po priste të martohej, ishte i fejuar”, rrëfen Lyudmila Bukhantsova. Sipas, Bukhantsova, drejtuesit e ushtrisë ruse i thanë se djalin po e dërgojnë vetëm për manovra.

“Jam e tmerruar për fatin e djalit tim. Nuk di gjë cfarë i ka ndodhur”. Edhe Shoqata e Nënave Ruse kanë kërkuar nga Putini duke ia dërguar një letër, që djemtë të mos ua dërgojë në luftë për tu vrarë. Ato kanë nënshkruar një letër, që në shumë pak media është publikuar, për shkak se shumica e mediave ruse janë bllokuar dhe janë ndëshkuar nëse raportojnë për luftën. /Ballkani.info/