Nëna e fëmijës që u abuzua: Djali refuzonte të shkonte në çerdhe, qante natën

Janë diku 40 kopshte private që operojnë në vend, por që nuk janë të licencuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Një kopsht i tillë në kryeqytet u bë lajm dje gjatë ditës, pas publikimit të një videoje, ku shihej një edukatore duke e rrahur një fëmijë. Edukatorja është arrestuar dhe përjashtuar nga puna, derisa sot Inspektorati i Arsimit ka marrë vendim që të mbyllë Kopshtin deri në marrjen e licencës. Kopshti është pronë e vajzës së ish ministrit Ahmet Shala.

Pamjet brenda një kopshti privat, ku shihej një edukatore teksa abuzonte me një fëmijë vetëm pse ai refuzonte që të ulej në një karrocë, u bënë virale dje gjatë ditës. Për sjelljen e edukatores pati shumë reagime. Ndaj këtyre reagimeve nuk heshti as Kopshti, ku ndodhi rasti.

Pasi nëna e fëmijës e publikoi videon teksa edukatorja e rrihte djalin e saj 18 muajsh dhe e raportoi rastin në Polici, ajo u përjashtua nga vendi i punës.

Nëna e tij, Naila Gori ka rrëfyer për Gazetën Express, se ajo e dërgon djalin e saj qe katër muaj në këtë çerdhe. Thotë se nuk ka parë shenja dhune në trupin e fëmijës, por se psiqikisht e kishte vërejtur se diçka nuk ishte në rregull me fëmijën, meqenëse refuzonte të shkonte në kopsht.

“Fëmija im është 16 muajsh. Ka katër muaj që shkon në çerdhe. Nuk kam vërejtur shenja dhune në trupin e tij, por psiqikisht, fëmija nuk flinte si duhej, zgjohej natën dhe qante. Tregonte rezistencë me shku në kopsht”, ka thënë Gori për Express.

Nga “Cambridge Kids”, i kanë kërkuar falje prindit të fëmijës për sjelljen e edukatores, derisa thanë se janë marrë masa ndaj edukatores në fjalë.

“Me të parë skenën përgjegjësit e ndërrimit menjëherë kanë reaguar duke e përjashtuar nga puna punëtoren në fjalë, ndërsa prindit i është kërkuar falje dhe i është lejuar qasje në të gjitha incizimet në klasën e fëmijës së tij, në mënyrë që të shoh se si është trajtuar fëmija i tij gjatë gjithë qëndrimit në çerdhen tonë”, thuhej në postim.

E njëjta sot është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit kujdestar e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Lidhur me rastin e datës së lartcekur, më datë 12.02.2020 është arrestuar e dyshuara femër  kosovare, e cila pas intervistimit me vendim të prokurorit kujdestar është dërguar në mbajtje për 48 orë”, njoftoi Policia.

Përveç edukatores që e rrihte fëmijën, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se është arrestuar edhe edukatorja tjetër që shihet në video. Ndaj dy edukatoreve, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit.

“Janë arrestuar dy persona të dyshuara dhe pastaj Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar paraburgim për dy të dyshuarat”, kanë deklaruar nga Prokuroria për T7.

Masa janë marrë edhe ndaj Kopshtit, që është në pronësi të vajzës së ish ministrit Ahmet Shala, Gjyljetës.

Inspektorati i Arsimit ka marrë vendim që t’ia ndërpresë veprimtarinë Kopshtit “Cambridge Kids” derisa ky institucion të pajiset me licencë, raporton Express.

Lajmin për Express e ka konfirmuar drejtori i Inspektoratit të Arsimit, Dëfrim Gashi.

Ai ka thënë se kanë urdhër që institucioni ta ndërpresë veprimtarisë derisa të sigurojë licencën.

“Kemi dhënë urdhër që institucioni ta ndërpresë veprimtarinë edukative, derisa të sigurojë licencën për ta ushtruar këtë veprimtari”, ka thënë Gashi për Express.

Cambridge Kids nuk kishte licencë për punë edhe pse ishte i regjistruar si biznes në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare (ARBK).

Drejtori i departamentit të arsimit parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu ka thënë se ‘’Cambridge Kids’’ nuk kishte bërë as kërkesë për licencim.

Për dhunën e ushtruar në këtë kopsht, ka reaguar edhe Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Krei i Prishtinës ka sqaruar se komuna nuk i licencon e as nuk i monitoron çerdhet private të fëmijëve.

“Pas pyetjeve të disa gazetarëve në lidhje me një incident në një çerdhe private në Prishtinë, informojmë publikun dhe mediat se Komuna e Prishtinës NUK licencon dhe NUK monitoron çerdhet private. Çerdhet licencohen dhe monitorohen nga Ministria e Arsimit. Po ashtu, bizneset regjistrohen në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, ka shkruar Ahmeti, transmeton Gazeta Express.

Kryetari i Prishtinës ka thënë se komuna ia ka kërkuar institucioneve të nivelit qendror kompetencat për të kontrolluar çerdhet privat, por se nuk kanë marrë përgjigje pozitive.

“Licencimin e monitorimin e kemi kërkuar shumë herë ai kompetencë nga niveli qendror, por që nuk kemi marr përgjigje pozitive”, thuhet në postimin e Ahmetit.

Ndryshe, Cambridge Kids nuk është çerdhja e vetme që operon pa licencë në vend. Bazuar në listën e çerdheve që janë të regjistruara në Agjencinë Kosovarë të Bizneseve dhe listën e çerdheve të licencuara nga MASH’ti, në gjithë vendin janë rreth 40 çerdhe që funksiojnë pa licencë.