Nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu në sallën e Kuvendit Komunal, është mbajtur akademi përkujtimore me rastin e 27-vjetorit të “Epopesë së Zharrës”.

Kryetari Ruzhdi Shehu vlerësoi lart këtë betejë, dhe theksoi se në mesin e shumë betejave, ajo e Kallavajit dhe Zharrës shquhen për heroizëm të jashtëzakonshëm dhe sakrificë të paepur të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë betejë u shkaktuan humbje të mëdha për armikun, përfshirë vrasjen e komandantit të zonës kufitare, majorit Ostojiq. Lufta zgjati deri në orët e vona të natës, ku në këtë betejë ranë heroikisht Avdyl Jasiqi, Shkelzen Gacaferi dhe Arif Gjoci, ndërsa u plagosën rëndë Qerim dhe Blerim Gjoci, Arif Maloku si dhe Sabri Halimi nga Shkupi. Në këtë betejë humbi jetën edhe qytetari Musa Ganijaj nga shpërthimi i një granate. Trupat e dëshmorëve u gjetën pas dy ditësh dhe u varrosën me nderime ushtarake në varrezat e fshatit.

Në vijim të akademisë, ngjarjen historike e përshkroi luftëtari i dalluar z. Qerim Gjocaj, i cili ndau momente të paharrueshme nga kjo betejë, në të cilën ishte plagosur rëndë. Manifestimi përfundoi me një poezi kushtuar betejës së Zharrës, recituar nga nxënësja Argjenda Shehu.

Me nderime dhe respekt janë mbajtur homazhe te vendi i rënies së heronjve Avdyl Jasiqi, Shkëlzen Gacaferi dhe Arif Gjoci në Zharrë. Në këtë ceremoni morën pjesë bashkëluftëtarë nga diaspora, si dhe të afërm dhe shokë të heronjve të rënë.

Fjalime të shkurtra mbajtën luftëtarët Eroll Regjepi dhe Qerim Gjocaj, duke ndarë momentet e tyre heroike nga beteja e lavdishme e Zharrës. Me praninë e tij na nderoi edhe komandant i UÇK-së në Koshare Fadil Hadërgjonaj, aktualisht deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Postimi i plotë: