Nën hijen e sulmeve të përgjakshme, sot mbahen zgjedhjet presidenciale në Sri-Lankë

Banorët e Sri-Lankës me të drejtë vote të shtunën do të vendosin për presidentin e ri të vendit, shtatë muaj pas sulmit të tmerrshëm terrorist, ku u vranë më shumë se 250 njerëz.

Për pozitën e kreut të shtetit të vogël aziatik do të garojnë 35 kandidatë. Këto janë zgjedhjet e treta presidenciale pas përfundimit të luftës civile në vitin 2009, e cila kishte zgjatur me dekada të tëra.

Megjithatë, pjesë e këtyre zgjedhjeve nuk është presidenti i deritashëm, Maithripala Sirisena. Ai vendosi të mos garojë pas kritikave për sulmin terrorist të 21 prillit.

Në sulmin e realizuar në disa kisha dhe hotele luksoze, për të cilin përgjegjësinë e mori i ashtuquajturi Shtet Islamik, ishin vrarë së paku 253 njerëz.

Qeveria e Sri-lankës më vonë kishte pranuar se shteti e ka bërë një lëshim të madh në sektorin e inteligjencës pasi ishte injoruar një paralajmërim nga inteligjenca indiane për planifikimin e këtyre sulmeve.

Presidenti Sirisena kishte ardhur në pushtet në vitin 2015 përmes një fitoreje befasuese kundër kandidatit tjetër, Rajapaska. Ai nuk ka dhënë zyrtarisht ndonjë arsye pse nuk po merr pjesë në këto zgjedhje.

Në këto zgjedhje të drejtë vote kanë rreth 16 milionë qytetarë. Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e kaluara presidenciale ishte mjaft e lartë, 74.32 për qind.

Brengat kryesore të banorëve të Sri-Lankës, përpos sektorit të sigurisë kombëtare, janë edhe mungesa e drejtësisë për pakicat dhe shkalla e lartë e papunësisë, shkruan “BBC”.

loading...