Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë nga Estonia se Qeveria e Kosovës është duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit, derisa optimist u shpreh sa i përket zgjidhjes së çështjes së targave.
Në një konferencë për media bashkë me kryeministren estoneze, Kurti tha se mbetet të shihet në ditët në vijim se sa të suksesshëm do të jenë në negociatat e reja.
Ai tha se është optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft penguese dhe e dëmshme, shkruan Demokracia.com.
“Zëvendëskryeministri im i parë është në komunikim të rregullt dhe të intensifikuar me Brukselin për ta zgjidhur këtë çështje. Në Kosovë janë 9000 vetura me targa ilegale serbe, kjo është më pak se dhjetë për qind e veturave që kanë serbët në Kosovë, pra është pakica ekstremiste brenda pakicës serbe, e cila po refuzon emërtimet e vendit tonë. Kemi pasur një diferencim në qasje dhe radhitje në zbatim, duke filluar vetëm me qortime, vërejtje për tre javë dhe më pas vetëm gjoba. Megjithatë, Beogradi urdhëroi të gjithë serbët që janë në institucionet e Kosovës që t’i braktisin ato dhe të japin dorëheqje kolektive. Disa prej tyre e kanë bërë këtë, unë kam bërë thirrje, që ata të mos japin dorëheqje sepse institucionet demokratike nuk janë institucione të kësaj qeverie, apo të këtij kryeministri, ato janë institucione për të gjithë, në shërbim të tyre, shërbime publike për të gjithë, ne jemi duke bërë çmos për të ruajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë në njërën anë, dhe paqen e sigurinë në anën tjetër. Jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft penguese dhe e dëmshme. Në ditët në vijim do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në negociatat më të reja. Na duhet marrëveshje me Serbinë, marrëveshje përfundimtare, ligjërisht e detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër.







