Në zgjedhjet e kaluara mbështeti Kurtin me BMW, mërgimtari tash përkrah Imri Ahmetin FOTO/VIDEO

Kandidati për kryetar të komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti ka marrë mbështetje të pazakontë sonte nga një qytetar nga diaspora.

Në sheshin, “Adem Jashari” në Lipjan, atij iu ekspozua një veturë me portretin e tij sipër, e cila në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti barte portretin e kryeministrit, Albin Kurti.

Pronari i veturës, Fitim Krasniqi tha se ka ardhur nga diaspora për të përkrahur kandidatin e LDK-së për kryetar të Komunës së Lipjanit.

Megjithëse tha se zgjedhjet e kaluara e njëjta veturë ka bartur portretin e Kurtit, ai thekson se për zgjedhje lokale Imri Ahmeti është kampioni i Lipjanit.

“Kemi ardh prej diasporës ekstra për me ia urua fitoren…zgjedhjet e kaluara e kam pas Albinin, unë e kam cek edhe më parë se për komunale, Imri Ahmeti punon mirë dhe s’ka tjetër kush që fiton…për komunë të Lipjanit Imdi Ahmeti është kulmi i Lipjanit dhe kampion i Lipjanit”, tha ai.

Mbështetjen e tillë e mirëpriti kandidati i LDK-së për kryetar të Lipjanit, Imri Ahmeti.

“Mbështetja juaj për neve është faktor i rëndësishëm që ne të jemi të përkushtuar në angazhimet tona. Do të dëshmojmë se jemi korrekt me përgjegjësitë tona. Falënderoj ty dhe gjithë diasporës për mbështetjen në këto zgjedhje”, theksoi Ahmeti.

Imri Ahmeti është edhe kryetar aktual i Komunës se Lipjanit, derisa synon të fitojë edhe mandatin e tretë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.