Në Tiranë organizohet ankand bamirësie për fëmijët ukrainas

Shqiptarë dhe të huaj janë bërë bashkë në një mbrëmje bamirësie në Tiranë për të ndihmuar fëmijët e prekur nga lufta në Ukrainë. Evenimenti i organizuar nga Ambasada Ukrainase në Shqipëri solli edhe njëherë në vëmendje situatën e vështirë me të cilën po përballet ky vend nga agresioni rus.

“Pasojat e kësaj lufte nuk po paguhen vetëm nga personeli ushtarak, po edhe nga gratë dhe fëmijët. Ukraina është e mbuluar me gjak, por forcat e armatosura dhe populli ukrainas besojnë në fitore”, tha Volodymyr Shkurov, ambasador i Ukrainës në Shqipëri.

Të ardhurat e mbledhura nga biletat e këtij organizimi do të shkojnë për blerjen e inkubatorëve për fëmijët prematurë, si një nevojë urgjente. Në fjalën e tij, ambasadori ukrainas shprehu mirënjohje për përkrahjen e dhënë nga Shqipëria.

“Eventi i sotëm është për bamirësi, të gjitha fondet do të transferohen për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e fëmijëve. Shqipëria ka qenë një mik dhe partner i Ukrainës si në nivel dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh. Dua të shpreh sërish mirënjohjen time të sinqertë”, tha Shkurov.

Në shitje u vendosën dorezat e boksit të firmosura nga ish-kampionët vëllezërit Klitschko, si edhe një top futbolli i nënshkruar nga Andrij Shevchenko./Tvklan