Në Stamboll shkojmë për ta fituar Ligën e Kampionëve, zotohet trajneri i Chelseat

Thomas Tuchel ka thënë se Chelsea ka vetëbesim se do ta mposhtë Manchester City-n, pasi e caktoi një finale gjithëangleze në Ligën e Kampionëve, duke e mundur bindshëm 3:1 Real Madridin në dy ndeshje gjysmëfinale.

Chelsea, i cili mund ta mbarojë sezonin me dy trofe të fituar, është vetëm një fitore larg lavdisë evropiane, falë golave nga Timo Werner dhe Mason Mount kundër Real Madridit në ndeshjen e kthimit Stamford Bridge të mërkurën.

Klubi londinez e mbizotëroi Realin në të dy ndeshjet dhe Tuchel ndien se djelmoshat e tij do ta shfrytëzojnë vetëbesimin e fituar nga triumfi kundër skuadrës së Pep Guardiolës në gjysmëfinale të FA Cup muajin e kaluar, kur të takohen me City-n në finalen e 29 majit në Stamboll.

“Na jep ndjesi të mirë, na jep vetëbesim. Atë ndeshje gjysmëfinale e luajtëm si në teh të thikës, sepse Manchester City, me Bayern Munich, janë model. Ne deshëm ta ngushtonim hendekun me Manchester City-n në gjysmëfinale, gjë që e bëmë dhe ne duhet ta bëjmë një paraqitje të së njëjtës shkallë përsëri”, tha Tuchel.

“Ne i kishim disa sfida të mëdha në Premierligë. Nga to dolëm fuqishëm, prandaj do të shkojmë në Stamboll me vetëbesim dhe me energji pozitive. Ne do të shkojmë në Stamboll për të fituar, jo për të qenë njëri prej pjesëmarrësve”, shtoi ai.

Chelsea, që më 15 maj luan në finale të FA Cup kundër Leicester City, ka qenë fantastik që prej se e emëroi Tuchelin në postin e trajnerit në janar.

Chelsea do të përballet me rivalin e Premierligës, Manchester City, në finalen e 29 majit në Stamboll.