Në Shqipëri çdo vit regjistrohen nga 5500 raste të reja kanceri

Sëmundjet tumorale mjekët i rendisin ndër blloqet kryesore të sëmundjeve kronike bashkë me sëmundjet kardiovaskulare. Çdo vit në Shqipëri, sipas Institutit të Shëndetit Publik, regjistrohen rreth 5500 raste të reja me kancer. Numër më të lartë të të prekurve shënojnë kanceri i mushkërive dhe ai i gjirit.

Çdo vit në vendin tonë regjistrohen rreth 5500 paciente të rinj me kancer. Ndërkohë që 16.4% e të sëmurëve humbin jetën prej tumoreve. Raporti kombëtar i Institutit të Shëndetit Publik nxjerr në hap të dhënat, ndërsa mjekët shprehen për rritje të numrit të të prekurve vitet në vijim.

Alban Ylli, specialist, ISHP, thotë se “Shqipëria ka 16,4 % vdekshmëri nga kanceri më pak se në Evropë. Është situatë e moderuar, por është çështje e efektit të moshës dhe do vijojmë të kemi më shumë kancer”

Në vend të parë renditet kanceri i mushkërive, pas tij vjen kanceri i gjirit.

Specialisti Ylli thotë se “Kanceri në mushkëri ka 780 raste të reja në vit, mbi 640 raste nga kanceri i gjirit, pastaj vijojnë të tjerat”.

Numri i meshkujve që vuajnë nga kanceri i mushkërive sipas Institutit të Shëndetit Publik rezulton të jetë katër herë më i lartë se ai i femrave. Qarqet me numrin më të lartë të të prekurve janë Tirana, Kukësi, Gjirokastra dhe Korça, ndërsa me raste janë regjistruar në Vlorë, Durrës dhe Berat.

Sa i përket kancerit të gjirit me më pak persona të semurë rezultojnë Kukësi, Dibra dhe Durrësi ndërsa me më shumë Tirana, Fieri dhe Korça.

Sëmundjet tumorale mjeket i rendisin ndër blloqet kryesore të sëmundjeve kronike bashkë me sëmundjet kardiovaskulare, ndërkohë që vënë theksin tek parandalimi sa i përket kancerit të mushkërive dhe tek kapja e hershme për kancerin e gjirit.