SEECP

Në Shkup mbahet Samiti i shteteve të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore

Në Shkup të Maqedonisë së Veriut të enjten mbahet samiti i krerëve të shteteve dhe të qeverive të Procesit për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (SEECP).

Zyra e presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, tha në një njoftim se pjesëmarrjen në këtë samit e kanë konfirmuar presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, si dhe ai i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Presidenti malazez merr pjesë në cilësinë e ish-shtetit kryesues SEECP-it, ndërsa presidenti shqiptar në cilëson e kryesuesit të ardhshëm të këtij forumi rajonal.

Ndër zyrtarët tjerë më të lartë shtetërorë në Shkup ndodhen edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Kryesuesi i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq.

Shtetet e tjera përfaqësohen nga ministrat e Jashtëm dhe ambasadorët.

Në Samit do të jenë marrin pjesë edhe përfaqësues nga Bashkimi Evropian; zëvendësdrejtori i Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme të BE-së, Marko Makovec, dhe përfaqësuesja e Komisionit Evropian, Ana Veziroglu.

Paraprakisht, është mbajtur takimi i përfaqësuesve të Ministrive të Jashtëm, në të cilin është biseduar për “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropën Juglindore” dhe aspiratat për integrimin në strukturat euroatlantike.

“Zgjerimi i BE-së është një nga projektet më të suksesshme të paqes në kontinentin evropian, që sjell vlera të pazëvendësueshme në ndërtimin e shoqërive qëndrueshme dhe arritjen e progresit dhe prosperitetit ekonomik”, tha ministri i Jashtëm maqedonas, Bujar Osmani, duke folur në cilësinë e kryesuesit të SEECP.

Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore është një iniciativë për bashkëpunim rajonal, që është lansuar më 1996.

Ajo synon të forcojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis shteteve të Evropës Juglindore dhe ta transformojë këtë rajon në një fushë të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit, me synimin kryesor të integrimit të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

Vendet anëtare të SEECP janë Kosova, Shqipëria, Turqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia, Bullgaria, Greqia, Moldavia, Rumania, Bosnje e Hercegovina,dhe Serbia.