Në Sferkë të Pejës u zbulua Pllaka përkujtimore kushtuar martirëve të vrarë nga serbo-malazezët në vitin 1913

Në fshatin Sferkë e Thatë të Komunës së Pejës, të dielën është bërë zbulimi i Pllakës përkujtimore kushtuar katër martierëve të këtij fshati të vrarë nga forcat serbo-malazeze në pranverën e vitit 1913.

Në këtë krim të asaj kohe kishin mbetur të vrarë Zymer Hasani me të bijtë e tij, Ymerin dhe Seferin, si dhe fqiun e parë, Isuf Tafa.

Ata, aso kohe, u morën nga shtëpitë e tyre dhe u mbyllën në një kullë të fshatit, i torturuan tërë natën që t’i detyronin ta ndërronin fenë dhe kombin.

Të nesërmën, pasi që ata nuk pranuan ta bëjnë një gjë të tillë, i pushkatuan afër shtëpisë së tyre dhe në sy të familjarëve.

Pasardhësi i këtyre martirëve të kombit, arsimtari në pension dhe figura e njohur në Lugun e Leshanit dhe në të gjithë Pejën, Muharrem Seferi, në fjalimin e tij para zbulimit të Pallkës përkujtimore, tha se ky është përkujtimi i parë që bëhet për këta martirë.

“Siç është e ditur, nga familja jonë Seferi atë ditë të kobshme u pushkatuan tre burra – baba me dy djemtë e tij: Zymer Hasani dhe djemtë Seferi-babgjyshi dhe Ymeri, kurse nga familja Tafa, bashkë me këta u pushkatua, Isuf Tafa”, tha Muharrem Seferi.

Sipas tij, kjo është njëra nga shumë masakra të tjera që bëri kjo ushtri famëkeqe malazeze.

“Atë ditë të kobshme të vitit 1913, një tog ushtarësh malazez hynë në shtëpinë e plakut Zymer Hasani dhe u përpoqen që t’i bindin në ato kërkesat e tyre e që ishte ajo më e rënda, ta pranojnë ortodoksizmin dhe kështu ta ndërrojnë fenë dhe kombin. Pasi nuk ia arritën qëllimit, i nxorën që të tre nga shtëpia dhe pastaj edhe fqiun e tyre, Isuf Tafën, të cilët i mbyllën në një kullë këtu në fshat, ku i torturuan psiqikisht dhe fizikisht deri në mëngjes. Pasi nuk mundën t’i bindin, ata i çojnë pranë shtëpisë së Zymer Hasanit dhe të katërtit i pushkatojnë. Sot aty shihen varret e tyre, në vendin e vrajes”, tha tutje pinjolli, Muharrem Seferi.

Më pas gjatë fjalimit, Seferi tha se për këta burra më e lehtë ishte vdekja sesa të pranohej humbja e identiteti kombëtar.

“Kjo ushtri malazeze, famëkeqe, hyri këtu në tokat tona në fundin e tetorit të vitit 1912. Ishte koha kur nga Ballkani u tërhoq Perandoria Osmane dhe kur ne menduam se do të jemi Zot në tokën tonë, ateherë na u vërsulen ushtritë sllave dhe na robëruan, duke vrarë shqiptarët, torturuar dhe duke bërë përpjekje që ta na largoni nga trojet tona. Por, ata, asnjëherë nuk ia arritën qëllimit”.

Muharrem Seferi në fundin e fjalimit tha se rënia e tyre heroike i bënë ata të djehën krenarë për paraardhësit e tyre dhe se ata tash pushojnë të qetë në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Në këtë manifestim, ku morën pjesë shumë qytetarë jo vetëm nga Sferka, por edhe nga zona tjera, u u lexuan poezi kushtuar të rënëve për liri dhe pavarësi. /Ballkani.info/