Ana Bërnabiq

Në Serbi e mbyllin temën e korrigjimit të kufijve, Bërbaniq flet në emër të Vuçiqit?

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka komentuar deklaratat rreth korigjimit të kufijve nga përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë, duke thënë se kjo temë duhet të ndalet.

Reagimi i Bërnabiqit vjen pas deklaratës së fundit të Presidentit Thaçi se Kosova dhe Serbia do të kenë mbështetjen e Presidentit francez, Emanuel Macron rreth idesë së korigjimit të kufijve ndermjet dy vendeve.

“Deklaratat e fundit të Thaçit posaçërisht rreth korigjimit të kufijve dhe bashkimit të Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës nuk mund t’i komentoj, por edhe deklaratat e autoriteteve në Prishtinë janë duke ndryshuar çdo ditë”, tha Bërnabiq, transmeton ballkani.info.

Kryeministrja serbe tha se është mirë që të gjindet një zgjidhje apo kompromis që do të garantonte stabilitet mes dy popujve, por jo të flitet për shkëmbim territoresh, sepse sipas saj, “politikanët e Kosovës po duket me fjalë se janë gati të mbërrijnë me territori deri në Serbinë qendrore”.

Ajo i ka quajtur provokim këto deklarata.

“Ju lutem të mos flisni më tutje për Medvegjën, Bujanocin dhe Preshevën. Këto janë vetëm ide që nuk mund të realizohen. Nëse vazhdoni kësisoji, do të mbërrini deri në Serbinë qendrore, por janë ide të parealizueshme. Ne jemi tolerant ndaj deklaratave, por çdo gjë duhet ta ketë një fund”, tha më tutje Bërnabiq.

Të kujtojmë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ende zyrtarisht nuk është deklaruar për këtë ide, por në disa raste e ka përmendur korrigjimin si mundësi për arritjen e marrëveshjes me Kosovën.

Bërnabiq që është vartëse e tij, duket se në publik përçon mesazhin e Vuçiq që kjo temë të mbyllet. /Ballkani.info/