Qeveria

Në pritje të studentëve… zbulohet dokumenti, qeveria planifikon uljen e buxhetit për arsimin

“Nuk ka nevojë për ndryshim buxheti, financimi është i garantuar. Ata që kërkojnë ndryshime buxheti janë ata që duan që studentët mos dinë se cfarë kërkojnë, ndërkohë që unë e di mirë se çfarë kërkojnë. Gjithçka është e përllogaritur deri në qindarkën e fundit.”

Këto ishin fjalët e Ramës kur u pyet për faturën financiare të të gjitha masave që vetë kryeministri deklaroi këtë të mërkurë në adresë të kërkesave të studentëve.

Rama foli thuajse për gjithçka, madje edhe për “kapjen” e protestës së studentëve, por i ra shkurt kur tha se buxheti nuk do të ndryshohet, pasi sipas tij ata që kërkojnë ndryshime buxheti janë ata që duan të keqen e studentëve.

Por si qëndron e vërteta dhe përse Rama nuk i ka lexuar mirë letrat që qeveria e tij ka firmosur.

Më datën 12 dhjetor të këtij muaji, në një kohë kur protesta kulmonte në mijëra studentë përballë Ministrisë së Arsimit, qeveria ka firmosur draftin për projektbuxhetin afatmesëm të vendit, për periudhën nga 2019 deri në vitin 2021.

Ajo që gjen në letrat e qeverisë Rama nuk është ajo që vetë kryeministri thotë me gojë. Në dokument shkruhet qartë se buxheti që do të rakordohet për arsimin nuk do të rritet, përkundrazi.

Më poshtë është tabela e vetë dokumentit të projektbuxhetit afatmesëm, ku dukshëm shihet se nga 3.3% të Prodhimit Kombëtar buxheti do të ulet në 3% të GDP-së në vitin 2021.

Kryeministri deklaroi se vështirësitë për rritjen e menjëhershme të buxhetit janë të shumta, por mesa duket ka “harruar” të shohë se në parashikimet që bën ministria përkatëse, buxheti jo vetëm që nuk i afrohet 5% të kërkuar nga studentët, por përkundrazi i largohet edhe më tutje.

Mbase kjo është dhe arsyeja se përse Rama kur foli sot para medias deklaroi se e ka dhe një “plan B”, atë të “kapjes së protestës” me vetë duart e tij.

“Plani im është shumë i qartë, unë do të udhëheq protestën e studentëve. Mund të qeshni, por do të shikoni që shumë shpejt do të kap protestën siç kam kapur gjithë të tjerat. Studentët kanë kërkuar disa gjëra të arsyeshme por reforma do të shkojë shumë më thellë”-tha Rama këtë të mërkurë.