Një pjesë e të akuzuarve për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar, vendosën të tërheqin një pjesë të dëshmive  të propozuara për mbrojtjen e tyre në procesin gjyqësor që zhvillohet para Gjykatës Penale. Arsyen për këtë në sallën gjyqësore nuk e paraqitën, ndërsa nuk konfirmojnë as nëse ajo është e lidhur me paralajmërimet për pajtim  përkatësisht për amnisti.

Para se ta anulojë seancën e sotme gjyqësore për “27 prillin” gjykatësja Dobrilla Kacarska konstaton se mbrojtja  ka tërhequr një pjesë të dëshmive dhe e konfirmoi rrjedhën e punës së seancave  të ardhshme, dhe ashtu për nesër është parashikuar  të vazhdohet  me lexim të mesazheve SMS dhe komunikimi në viber nga celularët e të akuzuarve, derisa të hënën më 26 nëntor , duhet të përfundojë edhe mbrojtja e deputetëve Kërsto Mukoski, Sasho Vasilevski, Luben Arnaudov dhe Johan Tarçullovski.

“Prejse mbrojtja tërhoqi një pjesë të dëshmive të propozuara, atëherë për seancën gjyqësore  më 26 nëntor  mund të thirren  dy dëshmitarë të propozuar nga mbrojtja e Mukovskit, ndërsa pastaj  të përfundojmë edhe me mbrojtjen e Vasilevskit, Arnaudovit dhe Tarçullovskit, tha gjykatësja Kacarska.

Deputeti Luben Arnaudov për deklaratën e tij tha se  së pari do të konsultohet  me avokatin e tij, derisa deputeti Johan Tarçullovski tha se e tërheq  listën e kompletuar të dëshmive, por edhe se gjithçka që ka për të thënë vetë para Gjykatës.

Kryeministri Zaev të shtunën, në kontekst të ngjarjeve në Kuvend  më 27 prill të vitit të kaluar dhe propozimet e pushtetit për pajtim,  ndërsa të opozitës për amnisti të tërësishme, theksoi se mund të ketë pajtim vetëm për ata të cilët nuk kanë marrë pjesë në dhunë.

“Të gjithë që nuk kanë marrë pjesë në dhunë dhe nuk ishin  pjesë e organizatorëve  brenda,  unë nuk kam problem  përmes tyre ta bëjmë  pajtimin. Ajo mund të jetë ligj për amnisti,  sjellje e vendimit të Parlamentit në suaza të  kompetencave të tij. Ajo nuk është përzierje në gjyqësi, Parlamenti i ka kompetencat e tij”, deklaroi Zaev.

Për ngjarjet në Kuvend më 27 prill të vitit 2017 të akuzuar janë gjithsej 33 persona, prej të cilëve 31  për kërcënim terrorist të rendit kushtetues të shtetit dhe dy për nxitje. Mes të akuzuarve shumica janë deputetë, të punësuar në MPB dhe sigurimi kuvendor, artistë. Ata para Gjykatës thanë se e kuptojnë akuzën, por nuk ndjehen fajtorë.