Për shumë prej ushtarëve, ky do të ishte misioni i tyre i parë. Ata paketuan municionet dhe pushkët, bënë thirrjet e fundit të telefonit me të dashurit e tyre dhe disa edhe dhanë gjak.
Kështu e fillon shkrimin mediumi britanik Reuters, duke bërë një përshkrim të nisjes së 600 ushtarëve kryesisht të rinj në Fort Bragg, Karolina e Veriut, të cilët u nisën për në Lindjen e Mesme.
Bëhet fjalë për grupin e ushtarëve, pjesë e një grupi prej 3.500 paratrupave amerikanë të cilët janë nisur drejt rajonit të trazuar.
Dhe siç thuhet më tej, Kuvajti është ndalesa e parë për shumë prej tyre ndërsa destinacionet e tyre përfundimtare janë të ndarë.
“Ne po shkojmë në luftë, vëlla!”, është dëgjuar të thoshte njëri prej tyre, duke mbajtur dy gishtat lartë.
Sipas shkrimit të Reuters, disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi vrasjen me dronë të komandantit ushtarak iranian Qassem Soleimani, duke ngritur frikën e konfliktit në Lindjen e Mesme, burrat dhe gratë e Divizionit të 82-të Ajror të Ushtrisë amerikane po lëvizin në “dislokimin më të shpejtë” që nga tërmeti i Haitit i vitit 2010.
Ka qenë Gjeneral Majori i Ushtrisë amerikane James Mingus ai që përshkoi grupin e burrave dhe grave me uniformë kamuflazhi ndërsa përgatiteshin të linin bazën pranë Fayetteville të dielën. Ai shtrëngoi duart me trupat, duke iu uruar fat.







