Në përleshjen mes nxënësve në Mitrovicë u përdorën edhe armë, policia arreston 4 prej tyre

Oborri i shkollës fillore “Musa Hoti” të Mitrovicës, mëngjesin e së hënës u shndërrua në arenë përleshjeje.

Nxënës të gjimnazit “Frang Bardhi” që ndodhet vetëm pak metra larg kësaj shkolle dhe një grup tjetër i nxënësve, nisën rrahjen mes tyre në rrugën “UÇK”-së për ta vazhduar më pas në këtë hapësirë.

Përleshja ndodhi në kohën kur ata do të duhej të nisnin mësimin rreth orës 07:00 të mëngjesit, ndërsa shkaqet ende mbeten të panjohura për Policinë, raporton KTV.

Por, ajo që dihet është se aty u shkrepën edhe plumba me një armë zjarri gëzhojën e së cilës e kanë gjetur por jo edhe armën.

Nga kjo përleshje, i lënduar lehtë mbeti njëri prej nxënësve të përfshirë.

Ndonëse ngjarja ndodhi në oborrin e shkollës “Musa Hoti”, drejtori i saj mohon se nxënës të saj u përfshinë në këtë ndodhi.

Ndërkaq, vetë drejtoresha e gjimnazit “Frang Bardhi”, Zybete Latifi, nuk ka dashur të flasë për këtë çështje, por një arsimtar ka pranuar se nxënësit janë të kësaj shkolle.

Në vendin e ngjarjes menjëherë kishte dalë policia, që ka arrestuar 4 persona, të cilët dyshohet se e kanë kryer veprën.

Kjo nuk është hera e parë që në afërsi të këtyre shkollave ndodhin ngjarje të tilla, pasi më pak se dy vjet nga përleshja fizike ndërmjet nxënësve, njëri prej tyre kishte mbetur i vdekur.

loading…