Në Mitrovicë të Veriut shfaqen grafite për “rezistencë” ndaj vendimit për targat, Policia jep detaje

Në Mitrovicën e Veriu të dielën është shfaqur një mesazh i ri nga e ashtuquajtura “Brigada Veri”, përmes së cilit u bë thirrje për “rezistencë” nga 21 nëntori, kur Qeveria e Kosovës ka thënë se do të nisë gjobitjen e shoferëve që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

“Që nga 21 nëntori është detyrë e të gjithëve të rezistojnë në çdo hap! Brigada Veri”, thuhet në grafitet që janë shfaqur në Mitrovicë të Veriut.

Lidhur me rastin nga Policia e Kosovës për Demokracia.com kanë thënë se janë marrë veprimet e nevojshme për hetim.

“Prishtinë, 13 nëntor 2022 Me datë 13.11.2022 gjatë natës, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri, janë hasur disa grafite me mbishkrime të ndryshme në gjuhen serbe. Policia e Kosovës, me njësitet e saj ka ndërmarr veprimet e nevojshme policore, për hetim dhe procedim të mëtejmë, lidhur me grafitet e shkruara në disa mure dhe rrugë”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Grafitet me ngjyrë të kuqe, të kaltër dhe të bardhë u panë në qendër të Mitrovicës së Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe që gjendet në veri të Kosovës – pranë monumentit të Car Llazarit, sheshit kryesor të qytetit dhe në rrugën Krajl Petra.

Fotografitë e këtyre grafiteve janë publikuar edhe në faqen në Instagram të titulluar “Jo dorëzim, KM mbetet”.

Dallimi mes grafiteve të gushtit dhe të 13 nëntorit është se në mesazhe është nënshkruar “Brigada Veri” dhe jo siç ishte më herët “Brigada e Veriut”.

Qeveria e Kosovës nga 1 nëntori ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia. Kryesisht bëhet fjalë për targat KM, akronim serb për Mitrovicë e Kosovës.

Plani i Qeverisë është që të gjitha makinat me targa serbe të konvertohen në targa RKS – Republika e Kosovës, deri më 21 prill të vitit 2023.

Faza e parë parasheh lëshimin e qortimeve për drejtuesit e automjeteve me targa serbe. Faza e dytë nis më 21 nëntor dhe parasheh gjobë prej 150 eurosh për këta shoferë. Faza e tretë përfshin përdorimin e targave provuese, ndërkaq pas 21 prillit, Qeveria e Kosovës ka thënë se do të lejohen të qarkullojnë vetëm makinat me targa RKS.