Në mesin e ambasadorëve të shkarkuar janë edhe dy ish këshilltarët e Ramush Haradinajt

Në mesin ambasadorëve të shkarkuar si ambasador sot nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donik Gërvalla, janë edhe dy ish këshilltarët e ish kryeministrit Ramush Haradinaj, Arbër Vllahiu dhe Avni Arifi, shkruan Ballkani.info.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) i ka propozuar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani të lirojë nga detyra 12 ambasadorë nëpër botë që janë emëruar politikisht.

Kjo ministri ka kërkuar të shkarkojë këta ambasadorë: Beqë Cufaj në Gjermani, Nait Hasani në Shqipëri, Arbër Vllahiu në Çeki, Lirim Grejqevci në Holandë, Shpend Kallaba në Hungari, Gezim Kasapolli në Kroaci, Avni Kastrati në Slloveni, Gjergj Dedaj në Maqedoni, Hajdin Abazi në Australi, Ylber Hysa në Mal të Zi, Avni Arifi në Emiratet e Bashkuara e Amir Ahmeti në Katar.

Raportimet për lirimin nga detyra e dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës e ka konfirmuar edhe MPJD’ja.

“Në përputhje me Ligjin, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka përcjellë gjatë kësaj jave tek Presidentja e Republikës së Kosovës, propozimin për lirim nga detyra dhe tërheqje nga misioni diplomatik për të gjithë ambasadorët e Republikës së Kosovës, të emëruar politikisht, duke i falënderuar për punën dhe angazhimin e deritanishëm. Lidhur me këtë, ministrja Gërvalla do të deklarohet më hollësisht gjatë ditës së nesërme”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.