Në Listën e Zezë të ShBA-së, kush janë biznismeni shqiptar Ylli Ndroqi dhe ish deputeti Aqif Rakipi?

Departamenti Amerikan i Thesarit sot ka publikuar një listë të re të personave që u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në listën e përditësuar figurojnë emra si ai i Nikola Gruevskit, ish kryeministër i Maqedonsië së Veriut e ish presidentit Malit të Zi, Svetozar Maroviq.

Por amerikanët nuk kanë harruar as Shqipërinë.

Në Listën e Zezë nga kjo e hëne figuron edhe emri i Ylli Ndroqit, binzismen shqiptar që ka në pronësi disa media e është drejtues i kompanive të ndryshme në Shqipëri dhe ai i ish deputetit Aqif Rakipi.

Kush është Ylli Ndroqi?

Ndroqi është pronar i kompanisë ORA, pjesë e të cilës është edhe televizioni Ora dhe Channel 1.

I njohur edhe si Xhmeail Pasmaçiu, Ylli Ndroqi ka një të kaluar problematike e është i hetuar nga SPAK si i përfshirë në aktivitete të ndryshme kriminale dhe për investime të parave të pajustifikuara në bizneset që ka në pronësi.

Madje SPAK-u vlerësonte se janë saktësisht 3 milionë euro të cilat nuk mund të justifikojë Ndroqi bazuar në të ardhurat personale.

Ndroqi ka një të kaluar të dyshimtë edhe gjatë viteve 90-ta. Madje në vitin 1998, ai ishte arrestuar në Turqi dhe është hetuar për trafikim droge në Itali gjatë vitit 2015.

Madje drejtësia shqiptare dyshon se pasuritë e fituara nga ky aktivitet janë përdorur për të krijuar pasurinë që Ndroqi sot e posedon.

Mediet shqiptare ndër vite kanë raportuar se Ndroqi ka ndërmejtësuar ryshfete për bizneset të cilat synonin të bënin biznes në Shqipëri.

Por, deri më sot, Ndroqi në të kaluarën është parë ka mbajtur disa tituj e ka qenë anëtarë në disa organizata.

Madje ai ishte konsull nderi i Meksisës në Shqipëri. E si biznismen ishte pjesë e Dhomës Amerikane e Britanike të Tregtisë në Shqipëri.

Ndroqi ishte shënjestër e drejtësisë shqiptare gjatë vitit 2020 dhe 2021. Madje shteti shqiptar i sekuestroi pasuri të rëndësishme Ndroqit nën arsyetimin për veprimtari kriminale.

Kush është Aqif Rakipi?

Në listën e zezë të amerikanëve është edhe ish deputeti nga Elbasani, Aqif Rakipi, të cilën Ambasada e SHBA-ve në Tiranë e përshkruan si një ‘ish deputet famëkeq’ nga Elbasani.

Madje amerikanët vlerësojnë se i njëjti ka ndikim të dëmshëm në proceset politike në Shqipëri.

Në vitin 2013, Rakipi u zgjodh deputet në Qarkun e Elbasanit nën emblemën e partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Madje ai politikisht u forcua edhe më tutje dhe në vitin 2017, ai mori 18% të votave në Elbasan, e që u përkthyen në dy mandate nga tre sa mori kjo parti në zgjedhjet e para 5 viteve.

Njëjti si Ndroqi, edhe Rakipi dyshohet për të kaluar kriminale. Në Itali, ai kishte deklaruar emra të rremë si Skënder Ejyrbegaj dhe Kusta Mina, ku ishte proceduar ligjërisht për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhur.

E për këtë çështje, ai e humbi mandatin e deputetit në vitin 2018 si pasojë e ligjit të dekriminalizimit.

Rakipi e humbi mandatin për shkak se dështoi të deklarojë këtë episod në formularin e vetëdeklarimit.

Ai ka deklaruar një pasuri të madhe sa ishte deputet, të cilat thotë t’i ketë blerë nga të ardhurat sa punonte jashte Shqipërisë.

Një apartament 162 m2, me vlerë 5 milionë lekë, dy apartamente në Durrës, në vlerë mbi 90 mijë euro dhe para të gatshme në banka me vlerë 210 mijë euro, 20 mijë euro cash, si dhe dy makina në vlerë 45 mijë euro dhe 26 mijë euro.

Ai është edhe pronar i kompanisë Nickel-Mine SHPK që merret me nxjerrje, përpunim, import dhe eksport mineralesh.

Por Rakipi është pronar edhe i kompanisë Al-Fi shpk që posedon objekte për aktivitete sportive, palestër, fitnes dhe bar kafe.

Ai dhe Ndroqi sipas Zyrës së Departamentit të Thesarit të ShBA-ve për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC), kanë destabilizuar stabilitetin e rajonit me aktivitetin e tyre kriminal dhe korrupsionit.

Reagimi i amerikanëve

Për këtë çështje ka reaguar edhe sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili ka thënë se ShBA dhe partnerët e saj do të mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor.

“Sot, Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit ndërmorën veprime për të shënjestruar aktorë në Ballkanin Perëndimor për aktivitete destabilizuese dhe korruptive. SHBA dhe partnerët si Britania e Madhe po mbajnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin evropian të rajonit”, thotë Blinken në një postim në Tëitter.

Kohë më parë, në listën e zezë të SHBA-së u përfshi edhe ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, i cili e kundërshtoi një vendim të tillë të Departamentit të Shtetit të Amerikës.

Madje kundër tij, Berisha ka ngritur padi kundër vendimit duke kërkuar shfuqzimin e tij.

Në këtë listë pas Berishës, ishte përfshirë edhe lideri i Republikës Serbe të Bosnjës, Millorad Dodik.

Gjatë ditës, u kuptua që disa persona nga Ballkani Perëndimor janë larguar nga lista e zezë përfshirë ish ushtarët e UÇK-së.

Ata thanë se emrat e tyre i kanë fshirë nga lista e të sanksionuarve pasi ata kanë vdekur, përveç Sabit Gashit, i cili iu gëzua lajmit duke thënë se “drejtësia vonon, por nuk harron”.