Kandidati i Vetëvendosjes për deputet, Hysamedin Feraj nga Shqipëria, ka bërë një status në profilin e tij në Facebook në të cilin ka denoncuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe gjithë historinë e saj 31 vjeçare.

Kandidati me numër 27 në listën ku bën pjesë edhe Vjosa Osmani, ish nënkryetarja e LDK-së, nuk është mjaftuar që të sulmojë LDK-në e sotme, por ka sulmuar edhe vlerat mbi të cilat u shtri kjo parti gjatë kohës së presidentit historik Rugova.

Ai ka denoncuar atë që e quan ‘frikë’ të kësaj partie nga faktori ndërkombëtar.

”Nga frika, vetëm rezistencë paqësore” – shkruan z.Feraj, duke denoncuar rrugën e rezistencës së viteve ’90 nga Ibrahim Rugova. Madje, ai fjalën ‘rezistencë’ e fut në thonjëza duke ia relativizuar krejtësisht kuptimin.

Për më tepër, ai i përmend Rugovës edhe një deklaratë ku ky i fundit shpreh dyshime mbi aktivitetet e UÇK-së, në kohën kur nuk kishte informacione për këtë formacion gueril.

“Nga frika, UÇK dorë e Serbisë;” – shkruan po ashtu z.Feraj, për të denoncuar më pas edhe mbështetjen që i kishte dhënë LDK proceseve të tjera të dialogut, si Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe dhe Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Gjatë ditës së djeshme Periskopi publikoi një komunikatë të VV-së ku denoncohej pjesëmarrja e Hashim Thaçit në varrimin e presidentit Rugova. E gjithë kjo bie në kontekstin ku kjo parti kërkon të marrë votues rugovistë.

Pikërisht dje, kjo parti e hoqi komunikatën nga faqja e saj. /Periskopi

Statusi i plotë i z.Feraj:

Me shkas: mësimi izraelit.

Isa Mustafa tha me 14 janar një të vërtetë: frika, më saktë paranoja, është filozofia e LDK-së.

– Nga frika, vetëm “rezistencë” paqësore;

– Nga frika, asnjë pushkë kundër Serbisë;

– Nga frika, UÇK dorë e Serbisë;

– Nga frika, po Zajednicës;

– Nga frika, po Çakorrit;

– Nga frika, gjithçka po Serbisë, asgjë po për shtetimin e Kosovës!

Por, “e vetmja që duhet ta kemi frikë është vetë frika” – thotë F.D. Roosvelti.

Prandaj frika e LDK-së është çka e kam frikë për të ardhmen e shtetit të shqiptarëve.

Nga Izraeli mësojmë se frika vritet kur trimërinë e organizon shteti.

Me LVV shqiptarët deri tani e kanë vrarë frikën.