Ndonëse sonte u paraqit si fakt i kryer arritja e marrëveshjes, në Lidhjen Demokratike të Kosovës propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje po kundërshtohet me të madhe.
Nga burime të Ballkani.info brenda kësaj partie, mësohet se kundërshtimi më i madh vjen për shkak të mosmarrjes së asnjë pozite të lartë shtetërore, me vetëm një zotim të zbehtë për mbështetje në zgjedhjen e presidentit nga ana e LDK-së, gjë që është vështirë e realizueshme, pasi që presidentin mund ta zgjedh vetëm opozita, nëse ia bëjnë kuorumin, jo pozita.
Për grupin e Agim Veliut kjo ofertë thuhet se është tërësisht e papranueshme, pasi që po LDK-ja po mbetet pa kryeparlamentar, pa kryeministër dhe me një premtim për president.
Dy ministri më shumë dhe heqja dorë nga zëvendëskryeministri i dytë, po vlerësohet tërësisht si marrëveshje e pabalancuar në LDK. Në anën tjetër, mësohet se në rast të arritjes së një marrëveshje me Vetëvendosjen, LDK nuk do t’i jap asnjë ministri të saj rol të dyfishtë, duke e bërë një prej tyre edhe zëvendëskryeministër.
Për pozitën e zëvendëskryeministrit si opsion kryesor janë dy emra: Avdullah Hoti dhe Vjosa Osmani. /Ballkani.info/







