Kurti e Vitia takohen me Erion Veliajn, flasin edhe për organizime kulturore

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njëherit kandidat për kryetar të Prishtinës, kanë pritur sot në takim kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, me të cilin kanë diskutuar ndër të tjera edhe për organizime kulturore që në vitin e ardhshëm do të mbahen në dy kryeqytetet. Ky takim me Veliajn si udhëheqës i Tiranës vjen në kohën kur Kosova po përballet me një valë të re të infektimeve dhe vdekjeve si pasojë e variantit të ri Delta.

“U bisedua edhe për ngjarjet kulturore që do të mbahen në kryeqytetet e të dy shteteve vitin e ardhshëm. Prishtina do të jetë nikoqire e biennales “Manifesta”, ndërsa kryeqyteti shqiptar i aktiviteteve të “Tirana, Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”. Kryebashkiaku Veliaj tha se këto dy ngjarje janë mundësi e mirë për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra për Media e Qeverisë.

Në këtë takim me Veliajn kanë diskutuar edhe për pandeminë dhe ecurinë e procesit të vaksinimit në të dy shtetet.

Siç thuhet në komunikatë “Kryebashkiaku Veliaj u interesua për efektin e pandemisë në ekonomi, duke e vlerësuar rolin dhe vullnetin e diasporës së Kosovës për t’i kontribuar zhvillimit ekonomik”.