Në Kosovë ka nisur “afati kalimtar” i aderimeve. A po shkojmë shpejt në zgjedhje?!

Tashmë ka disa javë që partitë në Kosovë e kanë rritur intensitetin e angazhimeve në terren.

Çdo ditë gati të gjitha partitë dhe liderët e tyre janë në një qytet apo fshat të Kosovës, duke mbajtur ‘ligjerata’ se cili subjekt ofron më shumë për qytetarët.

Edhe pse Qeveria e Kosovës i ka mbushur vetëm një vit e pak, duke se brishtësia e numërave i ka vënë në lëvizje të përshpejtuar partitë që të jenë sa më afër elektoratit.

Është Nisma për Kosovën dhe lideri i saj, Fatmir Limaj që gati çdo ditë është në një qytet të Kosovës.

I veshur me bluzën që mban logon e partisë, Limaj po ofron vende pune më të madhe, por edhe po kritikon të rinjtë që nuk po duan të punojnë, shkruan Ballkani.info.

Njëjtë po vepron edhe Lëvizja Vetëvendosje. Albin Kurti, kryetar i partisë, po merret me aderime të reja, ndërsa po krenohet se sallat po janë të vogla për t’i zënë të gjithë ata që po duan të anëtarësohen.

PDK-ja është pak më e heshtur, megjithatë nënkryetari i Kuvendit dhe kryetari i degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti ka filluar qe të shtrojë edhe asfalt që të jetë më i afërt me pejanët.

Për mos ta lënë me keq, Haliti sonte e zyrtarizuar edhe një ‘transfer’ në PDK. Partisë së kryeministrit Haradinaj ai ia ka marrë njërin nga themeluesit e AAK-së në Pejë.

E vet Haradinaj po ‘korr’ suksese në Prishtinë. Ditë më parë, asambleistja e LDK-së, Fiknete Bejta u bë pjesë e AAK-së. Aderimin Haradinaj e njoftoi nga zyra e kryeministrit.

Edhe sonte Haradinaj e ka bërë publik një tjetër aderim në parti. Faton Feka asambleist i Vetëvendosjes në Mitrovicë ka kaluar në AAK.

Në anën tjetër, LDK-ja e Isa Mustafës po merret me shumë me konferenca për gazetarë. Mustafa po thotë se është i gatshëm që edhe me votat e Listës Serbe ta qojë vendin në zgjedhje të parakoheshme parlamentare.

PSD-ja e Shpend Ahmetit, parti kjo që në sondazhe nuk po del fort mirë, diku me 2.5 për qind, duke mos e kaluar as pragun prej 5 për qind, po thotë se janë më mirë në terren dhe se kanë filluar shtrirjen me degë nëpër Kosovë.

Zgjedhjet ndoshta janë edhe afër, por kosovarët vazhdojnë të mbeten populli më i izoluar në Evropë. Ende ka rreshta të gjatë nëpër ambasada… /Ballkani.info/