Në këtë deklaratë u bazua Thaçi kur tha se Rugova ishte për këmbim territoresh me Serbinë

Më 24 gusht të vitit të kaluar, presidenti Hashim Thaçi tronditi opinionin kosovar kur publikoi një intervistë të ish presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

25 vjet më parë, në janar të vitit 1994 presidenti i ndjerë Ibrahim Rugova, kishte folur për opsionin e shkëmbimit të territoreve me Serbinë.

“Ndarje të Kosovës-JO, këmbim territoresh-PO”, ky ishte titulli i intervistës së botuar në Gazetën “Zëri”, e cila ishte realizuar me ish-kryetarin Rugova atë kohë. Intervista ishe realizuar nga gazetari i ndjerë, Bardh Hamza dhe këshilltari aktual i Thaçit, Blerim Shala, shkruan Ballkani.info.

Në këtë intervistë Rugova ndër të tjera flet edhe për mundësinë e shkëmbimit të territoreve me Serbinë, me ç’rast e sheh të arsyeshëm opsionin e ndërrimit të Leposaviqit dhe disa qyteteve në veri (të banuara me serbë), me Luginën e Preshevës.

“Edhe në mund të bëjmë kësi lloj pazari. Aq më tepër kur kemi legjitimitetin historik, etnik, juridik dhe politik mbi Kosovën. Nuk duhet harruar se Kosova ka qenë njësi konstituive e Federatës Jugosllave. Megjithatë, po e përsëri se për ne është e papranueshme ndarja e Kosovës. Mund të bëjmë vetëm këmbim territoresh, ashtu që për Leposaviqin dhe disa territore në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, të fitojmë Preshevën dhe viset e tjera në Serbinë Jugore, të banuara me shumicë shqiptare”, ishte shprehur Rugova gjatë intervistës.

Ndërkaq sot, presidenti Thaçi tha se idenë e shkëmbimit të territorit me Serbinë e ka marrë pikërisht nga Rugova.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili që nga vera e vitit të kaluar vazhdimisht po kërkon korrigjim të kufirit me Serbinë, ka thënë se idenë e ka marrë fillimisht nga presidenti historik Ibrahim Rugova, të përcjellur pastaj nga akademik Nexhat Daci dhe kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri. Thaçi ka thënë që Serbia pretendon ndarjen, por që ideja e tij është vetëm bashkëngjitja e Luginës me Republikën e Kosovës.
Kjo deklaratë e Thaçit ka nxitur reagime të ashpra nga zyrtarët e lartë të LDK-së, të cilët kanë mohuar se Rugova e përkrahte idenë e shkëmbimit të territorit me Serbinë.

Kanë folur deputetët Avdullah Hoti e Vjosa Osmani. /Ballkani.info/