Në këmbë drejt Jarinjës, KFOR-i shton numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve në Veri

KFOR-i gjatë ditës së sotme ka shtuar numrin e ushtarëve dhe patrullimeve në gjithë territorin e Republikës së Kosovës përfshirë edhe veriun e vendit.

Nga fotografitë e publikuara sot, shihen pjesëtarët e Misionit Paqeruajtës, “KFOR” duke patrulluar në kufirin neutral Kosovës – Serbi dhe po ashtu në zonën ku gjenden Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.

“KFOR-i po e monitoron nga afër situatën në të gjithë Kosovën dhe mbetet i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – i cili rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. KFOR-i e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë edhe Kosovën veriore”, thuhet në deklaratë.

Gjatë ditë së sotme u raportua se KFOR-i do të ndërhynte në Veri për të zhbllokuar situatën pas aksionit të policisë për reciprocitetin e targave në dy pikat kufitare, Jarinje dhe Bërnjak.

Por, në anën tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media tha se nuk ka informacion nëse KFOR-i do të ndërhyjë në Veri.

“Ne diskutuam me gjeneralin Federici, komandatin e përgjithshëm të KFOR’it për situatën e sigurisë meqenëse ne i kemi policët tanë atje dhe ata e bëjnë vlerësimin e situatës. Vendimet që ne i marrim nuk janë të pastra politike, madje përmbajtja e tyre është shumë profesionale e sigurisë. Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe ministri i Brendshëm nuk marrim vendime pa vlerësimet që na vinë nga Policia e Kosovës mbi rrethanat në të cilat ata ndodhen atje dhe ne shkëmbejmë informacionin me KFOR’in sepse jemi më shumë të pranishëm se edhe vetë KFOR’i. Unë nuk kam një informacion të tillë të përgatitjes së hyrjes së KFOR’it. Kam biseduar dje edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO’s, Stoltenberg edhe me zv. Presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin për Politikë të Jashtme dhe zotin Borell”, ka deklaruar Kurti.