Në Kamenicë nis projekti turistik në vlerë mbi 6 milionë euro

Sot është nënshkruar projekti “Kika Hills”, i cili do të nisë të implementohet në malet e Kikës, në njërën nga zonat me potencial turistik.

Për këtë projekt u tha se do të gjenerojë vende të reja të punës dhe do të jetë një tjetër atraksion për vizitorët në Kosovë.

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se ky projekt është prej më atraktive për këtë vend, për çka shtoi se kjo marrëveshje e nënshkruar do të krijojë një potencial për komunën.

“Është komuna me shpërnguljen më të madhe. Është komuna me papunësinë më të madhe, në përgjithësi ka të bëjë me sipërfaqe gjeografike. Bashkëjetesa në komunitet, ndërveprimi, solidariteti por në veçanti është natyra 70 për qind e territorit është kodrinoro-malore. Dhe ka potencial për turizëm që të jetë vend atraktiv jo vetëm për Gjilanin por edhe për Kosovën. Pandemia dhe zhvillimi i mirëqenies na ka shtyrë me mendua sa e rëndësishme është natyra.. bëhet fjalë për 200 hektarë tokë, dhe është proces i integruar. Vlera e parashikuar e investimit është 6 milionë e 600 mijë”, tha ai.

Ai u zotua se me këtë marrëveshje do të punësohen direkt 70 persona, ku pesë për qind prej tyre do të jenë me nevoja të veçanta, ndërsa prej tyre edhe 30 gra.

E, Drilon Qehaja nga KIKA Hills shtoi se ky projekt do të jetë motor i zhvillimit ekonomik në këtë rajon.

“Projekti ‘Kika Hills’ mund të jetë motori i zhvillimit. Të jetë diçka që përfshin shumë aktivitet. Shpresoj që tash të fillojmë me punë”, shtoi ai.