Në kafe me dy miq, zbulohet kush e shoqëronte avokatin para ekzekutimit

Zbulohen emrat e dy personave me të cilët po pinte kafe avokati që u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Elbasan, Ravik Gurra. Ngjarja ndodhi në ambientet e një lokali në qendër të qytetit, teksa avokati ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë.

Mësohet se njëri prej tyre është juristi i bashkisë Elbasan, Arben Hoxha si dhe Astrit Telhallari, të dy miq të avokatit. Ata janë marrë në pyetje si dëshmitarët kyç të vrasjes së avokatit Ravik Gurra, baba i dy vajzave që studiojnë në Londër.

Ndërkaq ende nuk ka asnjë pistë ku të jetë i orientuar hetimi paraprak, ndërsa forca të shumta policie prej disa orësh ushtrojnë kontrolle nëpër postblloqe në kryqëzime në të katër anët e qytetit të Elbasanit.

Ravik Gurra ishte avokat i familjes Çapja në Elbasan si dhe kishte mbrojtur edhe Emiljano Shullazin e bandën e tij te Krimet e Rënda. Dyshohet se vrasja e tij të ketë lidhje me përplasjen mes grupeve kriminale në qytetin e Elbasanit, nisur nga fakti se ai kishte afrimitet me një prej familjeve problematike në këtë qytet dhe njëherazi ishte edhe avokat i tyre, duke i mbrojtur në disa procese gjyqësore.