PD

Në janar zgjidhet ekipi i ri i Partisë Demokratike

Partia Demokratike do të zgjedhë në fillim të këtij viti lidershipin e ri të saj.
Pas zgjedhjes së Këshillit të ri Kombëtar, PD-ja do të përmbyllë procesin e riorganizimit me përzgjedhjen e emrave të rinj në funksionet më të larta brenda partisë. Burime nga selia blu sqarojnë për “Panorama” se në janar, kreu i P-së do të kërkojë mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të zgjedhur drejtuesit në funksionet më larta në radhët e demokratëve.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së do të zgjedhin me parimin një anëtar një votë, dy nënkryetarët e partisë, sekretarin e përgjithshëm, sekretarin organizativ, sekretarin për Burimet Njerëzore, sekretarin për Çështjet Zgjedhore, sekretarin për Aksionin Qytetar dhe sekretarin për Ekonominë. Për secilin post, pritet që kreu i PD-së, Lulzim Basha të propozojë minimalisht dy kandidatura, të cilat do t’i nënshtrohen votës së anëtarëve të rinj të Këshillit të ri Kombëtar, deputetëve dhe çdo anëtari të përhershëm në këtë strukturë të PD-së.

Në selinë blu qarkullojnë disa emra të mundshëm për secilin post, por deri në zyrtarizimin e datës kur do të mblidhet Këshilli Kombëtar në janar, pritet të mos ketë asnjë zyrtarizim.

Nga korriku i vitit 2017, pas rizgjedhjes së Lulzim Bashës në krye të PD-së, demokratët rifilluan riorganizimin nga baza në qendër. Basha përmes një urdhri kërkoi një analizë të thellë të punës së zhvilluar nga strukturat dhe organizatat partnere në PD në zgjedhjet e vitit 2017.

Pas kësaj, përmes një tjetër urdhri të brendshëm nisi riorganizimi dhe zgjedhja e drejtuesve të rinj në grupseksione, seksione dhe kryetarë të degëve lokale. Procesi i zgjedhjes së drejtuesve lokalë të PD-së u përmbyll në fillim të dhjetorit dhe menjëherë pas kësaj, Basha thirri Kuvendin Kombëtar të PD-së. Në 15 dhjetor, PD-ja mblodhi Kuvendin Kombëtar, i cili zgjodhi edhe 220 anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD-së.

Basha në fjalën e mbajtur në Kuvend kërkoi bashkimin e të gjithë demokratëve dhe përmes një mesazhi të drejtpërdrejtë ftoi ish-funksionarët e lartë të PDsë të japin kontributin e tyre për opozitën pa kërkuar domosdoshmërisht poste. Kuvendi Kombëtar i PD-së ktheu në parti ish-funksionarë të saj si Gazmend Oketa dhe Aleksandër Biberaj.

Në mbledhjen e tij të parë, Këshilli Kombëtar i PD do të zgjedhë edhe kryetarin e ri të saj. Sipas statutit të Partisë Demokratike, në nenin 50, pika 1 e tij, anëtarët e Këshillit të PD-së, në mbledhjen e tyre të parë do të zgjedhin edhe kryetarin e tyre, i cili do të ketë mandat 4-vjeçar.

Kryetari i Këshillit Kombëtar do të koordinojë marrëdhënien mes anëtarëve të Këshillit dhe aksionit të Grupit Parlamentar të PD-së. Gjithashtu, anëtarët e Këshillit do të zgjedhin mes kandidaturave të propozuara, emrat e rinj të lidershipit të PD-së. Pas zgjedhjes së funksionarëve të rinj, Basha do të nisë punën për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore të vitit 2019.

Basha ka premtuar se kandidatët për zgjedhjet vendore nuk do të jenë atribut i tij, por i anëtarësisë së PD-së, e cila do të ketë të gjithë të drejtën të propozojë dhe të zgjedhë kandidatët për kryetarë bashkie.