Kreu i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri në bashkëpunim edhe me Handikos, UNICEF dhe Rotary Club Gjilani, kanë bërë sot shpërndarjen e 333 pakove ushqimore dhe higjienike dhe 50 tabletëve për personat dhe nxënësit me aftësi të kufizuara.

Haziri ka thënë se bashkë me donatorët e ndryshëm dhe me shpirtin solidar e human të gjilanasve sot janë 330 familje që do ta kenë më lehtë një muaj.

“Të gjitha shoqëritë sprovohen dhe ato kanë ndodhur në të gjitha kohërat. Askush nuk mund të gjej arsyen apo të thotë, pse jemi të ndryshëm si njerëz? Duke qenë të ndryshëm në jetë, në pamje dhe në mundësi tjera, natyrisht se nuk e dimë a është më i drejtë, më i mirë dhe më i aftë Afrimi në karrocë apo unë, në ushtrimin e jetës, aktiviteteve dhe angazhime të tjera. Këto të gjitha janë sprova, mirëpo ne në zemra duhet të ndjehemi të barabartë, pa aftësi të kufizuara apo mundësi të kufizuara”, ka thënë kryetari në këtë ngjarje.

“Gjithashtu, në këtë aksion do të jenë përfitues 50 fëmijë me tabletë të dhuruar nga Lazim Destani dhe Ekolog-ut dhe sigurisht është më lehtë, mirëpo të jemi së bashku dhe t’i bëjmë të lehtë 12 muaj, sepse mundemi së bashku dhe t’i bëjmë njerëzit të barabartë në jetë”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.