Në fundjavë borë, ditë të akullta dhe erë, ja deri në sa minus gradë do të bien temperaturat në Kosovë

Në fundjavë borë, ditë të akullta dhe erë. Windchilli deri në -20C. Në fillim të javës kthjellime, por mbetet ftohtë.

12.02.2021 – Acari siberik tashmë ka filluar të shtrihet mbi vendin tonë. E pas motit të kthjellët ditën e sotme, në fundjavë kalimi i një cikloni nga Italia, përgjatë jugut të rajonit, mundëson nga rajoni ynë reshje dëbore, vende-vende mjaft intensive.

Të reshura me borë priten edhe përgjatë pjesëve të ulëta në Shqipëri.Në fundjavë do të ketë edhe ditë të akullta, kur temperaturat mbeten nën 0C në të dy vlerat ekstreme, e shkaku edhe i erërave të fuqishme veriore, ndjesia e temperaturës nga era apo windchilli zbret edhe deri në -20C.

Javën e ardhshme priten më shumë intervale me kthjellime dhe diell, mirëpo mbetet ende ftohtë.

Erërat gjatë fundjavës do të mundësojnë që ndotësit ajror të mbeten më të shpërndarë, e kjo ndikon që të kemi indeks të cilësisë së ajrit në vlera mesatare dhe të mira. Ditën e hënë, kryesisht në mbrëmje, do të ketë periudha më të gjata të qetësisë, e indeksi kalon edhe në vlera të dobëta dhe shumë të dobëta.

13.02 – Shumë ftohtë, me erë. Kryesisht vranët dhe kohëpaskohe me reshje bore, vende-vende edhe me intensitet mesatar.

14.02 – Shumë ftohtë, me erë, kryesisht vranët. Reshjet e borës vazhdojnë edhe paradite. Deri në mbrëmje reshjet pushojnë.15.02 – Shumë ftohtë, me erë. Paradite kryesisht me vransira dhe mundësi për ndonjë rrebesh bore.

16.02 – Shumë ftohtë, me vransira e intervale me diell, pasdite edhe me erë. Paradite, kohëpaskohe mund të priten edhe rrebeshe të dobëta bore.

17.02 – Kryesisht me diell, por mbetet ftohtë. Në mbrëmje vransirat do të shtohen.

Temperaturat minimale në fundjavë zbresin edhe deri në -11C, e më pas me një tendencë të rritjes.

Maksimalet zbresin deri në -5C e më pas gradualisht në rritje deri kur ditën e mërkurë rriten edhe në +3C.

Do të fryj erë mesatare dhe mesatarisht e fuqishme nga veriu-verilindja 3-13m/s, e me hove edhe deri në 16m/s ditën e diel.

Shtypja atmosferike me tendencë të rritje shumë lartë mbi vlera normale. /PrishtinaWeather