Një mosmarrëveshje mes dy personave në fshatin Stanovc i Ultë të Vushtrrisë ka eskaluar në sulm e kërcënime, gjatë ditës së sotme. Të dyshuarit për shkak të goditjeve që pësuan nga njëri-tjetri u dërguan në QKUK, me përcjellje të Policisë.
Gazeta ka mësuar se gjithçka ndodhi për shkak të një konflikti të mëhershëm në mes të dy palëve.
Burimet kanë bërë të ditur se dy personat e përfshirë në rast janë S.M., 50-vjeçar dhe S.I., 20-vjeçar.
Deri te rasti dyshohet se ka ardhur për shkak të disa mosmarrëveshjeve që kishin pasur dy të dyshuarit kohë më parë e që u përshkallëzua sot, kur njëri nga të dyshuarit i shkoi te shtëpia të dyshuarit tjetër.
Sipas burimeve të Sinjalit, 20-vjeçari ishte afruar të shtëpia e 50-vjeçarit, duke iu drejtuar me fjalët “Çka po m’kqyr o hut, çka po mi rrite sytë, se me ty kemi punë”, teksa ka vazhduar me sharje e ofendime.
Në atë moment, situata ka eskaluar kur i dyshuari 50-vjeçar e kishte marrë një sëpatë dhe iu ka vërsulur të dyshuarit tjetër, të cilin ka tentuar të sulmojë duke i thënë: “Në emër të sheriatit Allahu Ekber”.
Ky i fundit, për t’u vetëmbrojtur e ka sulmuar 50-vjeçarin me shufër metalike dhe i ka shkaktuar lëndime të rënda në kokë.
Sinjali mëson se Policia është njoftuar menjëherë për përleshjen, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku është konfiskuar shufra metalike e përdorur nga njëri të dyshuarit.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë lidhur me rastin janë njoftuar edhe Njësia e Hetimeve Rajonale. Pas arrestimit të dy të dyshuarve, prokurori ka lëshuar urdhër për caktimin e masës së ndalimit për 50-vjeçarin.
I njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “sulm”, teksa ndaj të dyshuarit tjetër është iniciuar rasti si “lëndim i rëndë trupor”.







