Foto

Në dy raste të ndara Policia e Kosovës parandalon dhe zbulon mallra të kontrabanduara

Policia e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, të hënën në dy raste të ndara ka parandaluar dhe zbuluar kontrabandimin me mallra.

Sipas njoftimit, në rastin e parë pas pranimit të informatave për lëvizje të dyshimta në brezin kufitar Serbi-Kosovë, njësiti Task Forcë ka ndërmarrë masa të nevojshme operativo-taktike, ku në zonën e Kamenicës është ndaluar automjeti Mercedes furgon me targa vendore, i cili është vërejtur duke hyrë ilegalisht në Republikën e Kosovës, ku drejtues ishte personi R. M., 1988 mashkull kosovar.

“Gjatë kontrollit në automjetin e tij i dyshuari kishte pasur të ngarkuara mallra që dyshohet të jenë të kontrabanduara”, thuhet në komunikatën për media.

Ndërsa në rastin e dytë, në rrugën Stublinë – Dobërqan automjeti Tauran, me targa serbe, i cili dyshohet se kishte hyrë në mënyrë ilegale në Republikën e Kosovës, në përpjekje për t’iu shmangur kontrollit të njësitit Task Forcë dhe duke mos iu bindur urdhrave të Policisë, përveç që ka rrezikuar zyrtarët policorë, i njëjti gjatë vozitjes ka humbur kontrollin mbi automjet duke dalë nga rruga.

“Gjatë kontrollit është vërejtur se i dyshuari me iniciale F. M. mashkull, shtetas i Serbisë, në automjet kishte pasur të ngarkuara pajisje të ndryshme të kontrabanduara, ku vlera e përafërt e tregut arrin shifrën rreth 20.000 euro”, bëhet e ditur tutje.

Lidhur me rastet të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kujdestar, malli dërgohet në terminalin doganor për procedura të mëtutjeshme që parashihen për raste të tilla.