Në disa qytete vazhdon evakuimi, në Mariupol raportohet për sulm

Autobusë të mbushur me refugjatë kanë nisur të largohen nga qyteti i rrethuar lindor i Ukrainës, Sumi.

Guvernatori rajonal, Dmitro Zhivitskiy, tha se autobusët e parë nga Sumi, që ndodhet vetëm 50 kilometra larg kufirit me Rusinë, janë nisur për në qytetin qendror të Ukrainës, Poltava.

Të martën, autoritetet ruse dhe ukrainase u pajtuan për hapjen e disa korridoreve humanitare për evakuimin e civilëve.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se korridoret u hapën nga Kievi, Çernihivi, Sumi, Harkivi dhe Mariupoli, nga ku pritet të ikin rreth 200,000 njerëz.

Por, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës tha se korridori humanitar në Mariupol është sulmuar nga forcat ruse, transmeton Radio Evropa e Lirë.

“Armiku ka nisur një sulm pikërisht në drejtim të korridorit humanitar”, tha Ministria ukrainase në një postim në Facebook.

Sipas saj, ushtria ruse “nuk i la fëmijët, gratë dhe të moshuarit të largohen nga qyteti”.

Derisa raportohet për luftime të intensifikuara në disa pjesë të Ukrainës, korrespondentët në terren konfirmojnë se evakuimi i banorëve nga qyteti Irpin, afër Kievit, po vazhdon gjithashtu.